×
  • Lajme
  • Lajme

    Çfarë dihet deri tani për grabitjen në Rinas

    Reporteri
    28 Prill 2019 | 16:10

    Ishte data 9 prill kur një furgon me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” u fut në pistën e Rinasit. Të paktën 5 grabitës të maskuar në pak minuta arritën të merrnin 6.5 milionë euro, vlerë monetare që do trasnportohej drejt Austrisë.


    Si policia ashtu dhe koncesionari që merret me sigurinë brenda aeroportit dështuan të parandalonin ngjarjen, ndërsa nga avioni ku u morën thasët me para, kishte zbritur pak më herët presidenti Ilir Meta dhe një tjetër ish zyrtar i lartë.

    Pasi morën thasët me para grabitësit u larguan me shpejtësi nga aeroporti ndërsa një patrullë e FNSH-së i ndoqi nga pas. Sipas versionit të policisë pati përplasje mes tyre dhe grabitësve të cilët ishin të armatosur rëndë, ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Admir Murataj, truri i organizimeve të disa grabitjeve të tjera.

    Shokët e lanë pas trupin e tij, ndërsa u larguan me një tjetër automjet. Thuhet se një grua për të ngatërruar policinë dogji një automjet, ndërsa grabitësit sipas hetimeve të deri tanishme u fshehën në një tunel të ish-diktaturës komuniste dhe pas mesnate dogjën automjetin që u gjet një ditë më pas nga policia.

    Identifikimi i Admir Muratajt

    Gjatë grabitjes Murataj kishte vendosur një maskë silikoni. Edhe pse në kërkim që nga viti 2013, Murataj kishte berë operacione plastike për te ndryshuar pamje. Me ndihmën e autoriteteve greke që kishin profilin gjenetik por dhe me identifikimin e familjarëve të tij, u konfirmua se grabitësi i vrarë ishte pikërisht Admir Murataj.

    “Gabimi” që bënë grabitësit

    Gjatë përplasjes me policinë grabitësit nuk mundën të digjnin furgonin që përdorën. Ai ishte një minierë ari për prova. Një shenjë gishti e gjetur aty, që i përkiste Alkond Bengasit arriti të zbulonte grupin.

    Zbërthimi i grupit nga dëshmia

    Sipas dëshmisë së të penduarit Alkond Bengasi, personi që modifikoi furgonin e grabitjes është shprehur se kontaktin e parë dhe porosinë e ka pasur me dy kushërinjtë e tij, Klement dhe Eldi Çala. Ai tha se plani kishte nisur të paktën 6 muaj më parë, por 10 ditë para grabitjes personat që ai ka implikuar në ngjarje janë takuar shpesh me njeri-tjetrin.

    Sipas tij në fund të muajit nars, në një lokal në zonën e Liqenit të Thatë janë takuar Admir Murataj, Klement Çala, Eldi Çala, Ragip Hajdini i njohur ndryshe si “Daja” nga Kosova, Oltion Veseli, Tani nga Fushë-Kruja, Talo Çela dhe Renaldo Sula.

    Ndërsa 6 ditë para grabitjes, ai ka parë përsëri në marketin e lagjes Admir Muratajn dhe Ragip Hajdnin. Por kjo dëshmi nuk e ka ndihmuar grupin hetimor të përcaktojë rolet e tyre, pasi i penduari Bengasi nuk zotëron informacion të plotë. Për këtë arsye, hetuesit po punojnë për të bërë bashkëpunëtor të drejtësisë dhe një tjetër nga të arrestuarit.

    Ky person është lidhja mes grupit që ka kryer grabitjen në Rinas, atyre që i kanë ndihmuar më pas dhe organizatorëve të tjerë, të cilët ende nuk janë identifikuar. Arrestimi i Dajës nga Kosova pritet të ndihmojë mjaft prokurorinë, pasi ai dyshohet se është personi, i cili ka hartuar planin e grabitjes dhe ka gjetur furgonat e përdorur në grabitje.

    50-vjeçari është i dyshuari kryesor për grabitjen e 25 kg flori në komisariatin e Pejës në vitin 2012 dhe për shkak të kësaj eksperience, ai dyshohet të ketë dhe rolin e regjisorit të vjedhjes. Policia vazhdon kontrollet në disa qytete, kryesisht në banesat e të arrestuarve dhe atyre që dyshohet se kanë marrë pjesë në grabitje. Banesa e fundit ku janë përqendruar kontrollet është ajo e kosovarit në zonën e Shkëmbit të Kavajës./Opinion.al

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!