Gazeta Online Reporteri.net dy ditë më parë raportoi se LDK-ja ka arritur një konsensus brenda saj që Lumir Abdixhiku të dielën të jetë kandidati i vetëm për kryetar të partisë. Por, shumë pak pas këtij raportimi, në Facebook është paraqitur një kundër-kandidaturë për kreun e kësaj partie, nga anëtari Faton Bislimi, i cili ishte larguar muaj më parë nga pozitat drejtuese të partisë. Por si janë procedurat e kandidimit për kryetar të LDK-së në Kuvendin Zgjedhor të partisë?
Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imri Ahmeti ka treguar për Gazetën Online Reporteri.net ka se sa i përket procedurës për shpalljen e kandidaturës për kryetar të LDK-së, ajo zyrtarisht mund të bëhet vetëm në Kuvendin Zgjedhor të partisë.
Për “fatin” e kandidaturave në Kuvendin Zgjedhor, Ahmeti ka sqaruar se delegatët e kanë autoritetin. Sekretari i LDK-së, shpjegoi se kandidatët nominohen nga delegatët apo Komisioni kandidues, pas zgjedhjes së trupave punues të Kuvendit.
“Kandidimet zyrtare proceduralisht kandidohen në Kuvend. Pas zgjedhjes së trupave punues të Kuvendit mund të nominohen kandidatët qoftë nga delegatët apo nga Komisioni kandidues. Në Kuvend marrin pjesë vetëm delegatet e zgjedhur sepse anëtarësia e LDK-së ka përfaqësim përmes delegatëve të Kuvendit”.
“Kandidimet zyrtare janë vetëm ato kandidime që hyjnë në procedura statutare dhe aprovohen nga Kuvendi”, sqaroi Ahmeti për Reporteri.net.
Të hënën e 13 tetorit, Faton Bislimi, – familjar i Besnik Bislimit të LVV-së -, i cili para pak muajsh ishte njoftuar dorëheqjen nga kryesia e LDK-së ka bërë të ditur në Facebook se ka vendosur që të kandidojë për pozitën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e dhjetë zgjedhor që do të mbahet më 19 nëntor.
Bislimi theksoi se beson ‘fuqishëm në LDK-në e vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare të trasuara nga Presidenti Rugova’.
Lidhja Demokratike e Kosovës do e mbajë Kuvendin e 10 zgjedhor me 19 nëntor.
Përmes këtij kuvendi zgjedhor do të zgjidhet apo rizgjidhet kryetari i këtij subjekti politik dhe kryesia e re.
Me 19 nëntor Lumir Abdixhiku, para delegatëve pritet të shpalos edhe programin politikë “Rruga e Re”, platformë politike e tij, e prezantuar vetëm disa pjesë, deri më tani.
Pos, postit të kryetarit, Abdixhiku ka në duar të zgjedh edhe kryesinë e re të partisë. Gazeta Online Reporteri.net merr vesh Hykmete Bajrami, Doarsa Kica-Xhelili e Sibel Halimi, janë tre gratë që po diskutohen për të marrë pozitë të nënkryetares në LDK.
Lumir Abdixhiku ishte zgjedhur kryetar i LDK-së me 14 mars 2021, pas dorëheqjes të Isa Mustafës, si pasojë e rezultatit të dobët në zgjedhjet parlamentare të atij viti. Në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2021, LDK-ja kishte fituar vetëm mbi 12 për qind të votave.
Në vitin 2021, për postin e të parit të LDK-së, Abdixhikun e kishin sfiduar edhe Lutfi Haziri, Besian Mustafa e Anton Quni. Ky i fundit ishte tërhequr nga gara krejt në fund. /Reporteri.net/