Chollet flet me Kurtin: Diskutuam për propozimin e BE-së, i kërkuam Kosovës ta pranojë atë

Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka folur me kryeministrin e Kosoës, Albin Kurtin, ku temë e diskutimit ishte propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbisë.

Chollet tha se temë e bisedës ishte edhe kërkesa ndaj Kosovës për ta pranuar propozimin e BE-së.

“Bisedova me kryeministrin Albin Kurti sot për të diskutuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës që ta pranojë atë. Një temë kryesore ishte partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, ka shkruar Chollet, përcjell Reporteri.net.

Gjithashtu, temë e bisedës, sipas Chollet, ishte edhe diskutimet mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në “kontekstin e dialogut, dhe nevojën që zyrtarët serbë të Kosovës të kthehen në postet e tyre”, ka thënë Chollet.

Kujtojmë se Chollet para një jave ishte në Kosovë ku u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Temë e diskutimit gjatë vizitës së Chollet në Kosovë ishte dialogu me Serbinë.