Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Ajo ka akuzuar VV-në për tendenca të hapura për përmbysje të rendit kushtetues dhe delegjitimim të institucioneve shtetërore.
Sipas Çitakut, reagimi i sotëm i VV-së dëshmon qartë një qasje të rrezikshme për demokracinë në vend.
“Tendencat e LVV-së për të përmbysur rendin kushtetues nuk po ndalen. Reagimi i tyre i sotëm e dëshmon qartë këtë. Filluan me sulme denigruese e personale ndaj gjyqtarëve një nga një, e vazhduan me komunikatë zyrtare,” ka shkruar ajo.
Çitaku theksoi se kjo mënyrë e veprimit nuk është vetëm sulm ndaj një institucioni të vetëm, por përbën kërcënim për të gjithë sistemin demokratik në Kosovë.
“Kjo qasje është rrezik për demokracinë dhe për gjithçka që është ndërtuar në këtë vend me shumë sakrificë e mund. Qëllimi i tyre tashmë është i qartë: delegjitimimi i çdo institucioni dhe i vetë demokracisë. Por kjo mendësi nuk do të kalojë. Nuk do ta lejojmë,” përfundon reagimin e saj Çitaku.