×
  • Lajme
  • Lajme

    “Dekada e Re”, si nënkryetarët e PDK-së “betohen” se partia po fuqizohet

    Reporteri
    17 Mars 2019 | 22:42

    Partia Demokratike e Kosovës të dielën mbajti zgjedhjet e brendshme në tri degë të saj, duke zgjedhur edhe kryetarët e rinj për zbatimin e platformës “Dekada e Re”.


    Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, PDK po mundohet të freskoi partinë me figura të reja, e vetëdijshme se me figura të vjetra nuk ka si të sjell elektorat të ri.

    Megjithatë në këto tubime elektorale brenda partisë po vazhdojnë ta thonë fjalën “veteranët” të cilët para elektoratit të partisë po japin premtime se si PDK po rritet çdo ditë dhe do jetë partia e parë në vend.

    Hajredin Kuçi, nënkryetar i PDK-së, i cili nuk është më aktiv në skenën politike (në nivelin qendror) pasi nuk është pjesë e qeverisë aktuale, nga Fushë Kosova ka dhënë premtime të mëdha.

    Kuçi në emër të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, para të pranishmëve në kuvendin zgjedhor të degës së PDK-së në këtë komunë tha se “PDK edhe në ‘Dekadën e Re’ do të jetë parti lidere e cila do t’u prijë reformave për integrimet euro-atlantike të vendit”.

    Fjalë të mëdha foli edhe nënkryetari tjetër i kësaj partie, Bajrush Xhemaili. Por ky nga qyteti i Istogut ku poashtu u zgjedhën organet e reja të partisë.

    Ai tha se PDK në nivel vendi po fuqizohet nëpërmjet procesit të brendshëm zgjedhor.
    “PDK gjatë këtij procesi po rritet dhe fuqizohet edhe më shumë”, ka deklaruar ai.

    A është sondazhi i fundit që po i bën të flasin kaq sigurt nënkryetarët e PDK-së?

    “Betimet” e tipit se PDK do jetë lidere, nënkreytarët e kësaj partie mund t’i kenë ndërlidhur me sondazhin e fundit që këtë subjekt e nxorri të parën, por duhet thënë se të gjitha anketat tjera lidere e nxjerrin LDK-në, kurse të dytën herë PDK-në e herë VV-në.

    Një hulumtim i opinionit, i realizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime të Opinionit Publik (PIPOS), me datat 1-2 shkurt, Institut ky i themeluar nga Fisnik Halimi ka nxjerr në vendin e parë Partinë Demokratike të Kosovës, në vendin e dytë Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në vendin e tretë Lëvizjen Vetëvendosje.

    Sipas rezultateve të tij, për PDK-në do të votonin 26 %, për LDK-në 24 %, për VV-në 19 %, për AAK-në 14 %, për Nismën 5 %.

    Në të kanë marrë pjesë gjithsej 1000 respondentë të shpërndarë sipas çelësit proporcional gjeografik dhe demografik.

    Por ndaj këtij sondazhi kanë reaguar partitë opozitare, më fuqishëm Lëvizja Vetëvendosje e cila e ka quajtur të porositur, duke kujtuar se si Fisnik Halimi ishte anëtarësuar në PDK në kohën sa Thaçi drejtonte partinë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!