Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, përsëriti dënimin e saj ndaj deklaratës së ministres të Qeverisë serbe, Snezhana Paunoviq, lidhur me “spastrimin etnik” në Kosovë dhe shprehu habinë që ajo vazhdon të mbetet ministre.
Kos u bëri thirrje politikanëve në vendet kandidate për anëtarësim në BE që të kenë parasysh se çdo fjalë e thënë ka peshë.
“Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, deklaroi komisionarja Kos, gjatë fjalimit të saj në Komitetin e Posaçëm për Mburojën e Demokracisë Evropiane të Parlamentit Evropian.
Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë serbe, Snezhana Paunoviq, duke folur për jetën në Kosovë dhe largimin e saj nga Peja gjatë luftës, ajo deklaroi më 11 korrik se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.
Edhe Bashkimi Evropian ditën e djeshme reagoi përmes zëdhënëses së Komisionit Evropian, Anita Hipper, e cila ka thënë se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik.
Për deklaratën reagoi edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili theksoi se ajo nuk përfaqëson politikën e presidencës apo të Qeverisë së Serbisë.
“Politika jonë bazohet në dialog, kompromis, paqe dhe stabilitet, e kurrë në spastrim etnik. Ky është qëndrimi ynë dhe duhet të jetë krejtësisht i qartë”, deklaroi Vuçiq.
Gjatë ditës së sotme, me një reagim ka dalë edhe veë Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila ka kërkuar falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut, duke pretenduar se deklarata e saj për “spastrimin etnik të Kosovës” u nxor nga konteksti. /Reporteri.net/