Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar pas incidentit të ndodhur të premten mes deputetit Armend Zemaj dhe një qytetari.
Ajo ka rikujtuar fyerjen që deputetja e VV-së Albulena Haxhiu dhe bashkëshorti i kësaj të fundit, Alban Krasniqi ia kishin bërë, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, vite më parë.
“Para shumë vitesh, Albulena Haxhiu, nga foltorja e Kuvendit, iu drejtua Kadri Veselit me fjalët: “Ti je kriminel.” Më vonë, një tjetër përfaqësues i VV-së, Alban Krasniqi, sot me pozicion publik në institucione shtetërore, shkroi publikisht: “Pastë dorën e marë ai që merr në shenjë,” duke iu referuar po ashtu Kadri Veselit”, ka shkruar Deliu.
Ajo tutje përmes një postimi në Facebook ka shkruar se si për vite me radhë, eksponentë të VV-së kanë përdorur gjuhë fyese, përçmuese dhe nxitëse ndaj kundërshtarëve, gazetarëve dhe institucioneve.
Postimi i saj i plotë:
Para shumë vitesh, Albulena Haxhiu, nga foltorja e Kuvendit, iu drejtua Kadri Veselit me fjalët: “Ti je kriminel.” Më vonë, një tjetër përfaqësues i VV-së, Alban Krasniqi, sot me pozicion publik në institucione shtetërore, shkroi publikisht: “Pastë dorën e marë ai që merr në shenjë,” duke iu referuar po ashtu Kadri Veselit.
Për vite me radhë, eksponentë të LVV-së kanë përdorur gjuhë fyese, përçmuese dhe nxitëse ndaj kundërshtarëve, gazetarëve dhe institucioneve.
Nuk është për t’u habitur që kjo gjuhë ka krijuar një klimë urrejtjeje dhe përçarjeje që ndihet edhe sot në shoqërinë tonë.
Albin Kurti dhe Vetëvendosja asnjëherë nuk është distancuar nga kjo gjuhë.
E ne, që ishim në anën tjetër, shpesh kemi zgjedhur heshtjen, duke besuar se durimi dhe heshtja janë forcë.
Sot po e shohim se heshtja ndaj dhunës, fyerjeve dhe përbuzjes nuk është mençuri, është dëm për të gjithë ne. Dhuna, qoftë fizike apo verbale, nuk ndërton shtet. Dhuna sjell dhunë, dhe për këtë, faj kemi të gjithë.