×
  • Lajme
  • Lajme

    Disa prej grave të kthyera nga Siria po hetohen për pjesëmarrje në grupe terroriste

    Reporteri
    23 Prill 2019 | 8:53

    Policia dhe Prokuroria e Kosovës kanë filluar intervistimin e disa grave që janë kthyer të shtunën në mëngjes nga Siria, me dyshimin se ishin pjesëmarrëse në grupe terroriste.


    Reporteri.net ishte i pari që ka raportuar nga vendi i ngjarjes për kthimin e 110 personave të shtunën në mëngjes ku autoritetet e Kosovës të ndihmuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë kthimin e tyre nga zonat e luftës në Siri, 74 fëmijë, 32 gra dhe 4 persona të rritur që dyshohet se kanë qenë luftëtarë.

    32 gratë e veja që të premten u kthyen nga kampet e luftës në Siri, gjatë të hënës janë intervistuar nga hetuesit kosovarë. Disa prej tyre edhe në cilësinë e të dyshuarve për pjesëmarrje në luftërat e huaja dhe bashkëngjitje të grupeve terroriste.

    Intervistimin e këtyre grave nga hetuesit policorë e ka konfirmuar për Reporteri.net edhe Prokuroria e Shtetit. Sipas, prokurorit special Sylë Hoxha, ende nuk i kanë marrë të dhënat e raporteve të hetuesve të antiterrorizmit.

    “Policia është duke i intervistuar. Ne po presim nga Policia ndonjë raport nëse ka elemente të veprës penale”, tha Hoxha përmes telefonit.

    Avokatja Fehmije Gashi Bytyqi ka ardhur në Qendrën për Mbajtjën e të Huajve në fshatin Vranidoll afër Prishtinës, për të mbrojtur një grua e cila dyshohet se ka marrë pjesë në një organizatë terroriste në Siri, dhe që burri i saj ende po qëndron në zonën e luftës në Siri.

    “Policia e Kosovës, përmes Odës së Avokatëve më kanë ftuar sipas detyrës zyrtare të mbrojë një grua e cila dyshohet se ka marrë pjesë në grupet terroriste në Siri. Zonja të cilën e mbrojta ishte mjaftë shëndetlig ishte nënë e katër fëmijëve. Më tutje çka vepron Prokuroria Speciale e Kosovës nuk e di ngase është një sfidë edhe për vet institucionet e Kosovës sepse tash këto përveç që janë të dyshuara ato në anën tjetër, për shembull e mbrojtura ime ishte edhe nënë e katër fëmijëve,” tha avokatja Gashi-Bytyqi.

    Po ashtu Gazeta Online “Reporteri.net” ka raportaur që të gjithë të kthyerit po i nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore dhe ende nuk dihet kur do të lirohen.

    Nga personat e kthyer janë edhe katër militantë të cilët aktualisht janë në paraburgim si të dyshuar për pjesëmarrje në organizata terroriste.

    Reporteri.net ka sjell pamje nga takimi i gjyshit dhe gjyshës me nipin e tyre i cili u kthye nga Siria në kampin e azilantve në Vranidoll të Prishtinës. Por ata nuk kanë pranuar të flasin para kamerave.

    Përqafimet e tyre plot mall, po ndodhin pas shumë vitesh distancë mes kësaj familje. Dy të moshuar po takojnë nipin dhe nusen e djalit të vrarë, pas kthimit të tyre nga Siria.

    Sipas Policisë së Kosovës, në Siri ende janë rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe tetë fëmijë të cilët janë me shtetësi kosovare. Që nga viti 2012 rreth 400 njerëz nga Kosova i janë bashkuar të ashtuquajturit Shteti Islamik.

    Reporteri dje ka raportaur që shumica e grave që të premten u kthyen nga Siria në Kosovë kanë lënë të kuptohet se kanë qenë viktima të burrave të tyre, tashmë të vrarë atje. Ato kanë thënë se i çuan pa dijeninë e tyre, në zonat e luftës në Siri e Irak, duke pretenduar se nuk e dinin për ISIS-in, por se bashkëshortët para nisjes u kishin thënë se bashkë po merrnin rrugë për në perëndim.

    Madje, nga burime brenda autoriteteve të sigurisë, Reporteri.net mëson se disa nga gratë e kthyera në Kosovë të premten mbrëma pohojnë se para se të merrnin rrugën për në ISIS, burrat e tyre u kishin thënë se po niseshin për të shkuar në vende të Europës Perëndimore. Kryesisht, ato kanë përmendur Gjermaninë si cak të shkuarjes, në momentin kur ishin larguar nga Kosova, disa para katër e të tjera para tre vitesh. /Reporteri.net/

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!