Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 20 tetor 2026 ngriti aktakuzë ndaj të akuzuarve Faruk Mazrek, Fariz Mazrek, Korab Visoka, Fatmir Visoka, Skender Kelmendi, Nisret Bajraktari, Dashnim Miftari, Adem Morina, Muhamet Mazrek, Naser Morina, Gazmen Quni dhe Sasivar Mazerek, lidhur me dallavere me transportimin e naftës nga Durrësi për Kosovë.

Në aktakuzë thuhet se 12 të akuzuarit kanë vepruar si grup kriminal ku me dashje dhe dijeni prej janarit 2021 e deri në dhjetor 2025, kanë kryer veprime lidhur me transportimin e derivateve të naftës dhe me paraqitjen e dokumenteve të rrejshme për bizneset e tyre e për shitjen-blerjen, duke realizuar transaksione fiktive dhe kanë shmangur tatimin

Prokuroria ka sqaruar rolin e secilit të akuzuar:

Reklamë

Faruk dhe Fariz Mazrek

Sipas aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”, këta dy të akuzuar kanë udhëhequr grupin duke u kujdesur për krijimin e rrjetit brenda Kosovës dhe shtetasve nga Shqipëria dhe persona NN, duke blerë derivate nga “Gega Oil” në portin e Durrësit me qëllim importimin e naftës në Kosovë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se gjatë rrugës mjetet transportuese në shumicën e rasteve janë ndërruar me mjetet të tjera që kanë qenë të modifikuara dhe që mbusheshin me ujë deri në 90 për qind, ndërsa pjesa e derivative mbetej në territorin e Shqipërisë.

Në aktakuzë, thuhet se në rastet e kontrolleve doganore kur autoritetet merrnin mostrat, ato mostra merreshin në pjesën ku ndodheshin derivatet, ndërkaq pjesa e konsiderueshme ku ndodhej uji ishte e paarritshme për kontroll.

Sipas aktakuzës, në një rast kamioni që kishte tetë komora, 7 prej tyre ishin me ujë ndërkaq vetëm njëri me naftë.

Reklamë

Në aktakuzë thuhet se pronari biznesit “Fariza Mazrek B.I” me emër tregtar “PO Petrol Fariz” me të autorizuar Fariz Mazrek, me qëllim që t’i sjellë vetes dhe të tjerëve dobi pasurore, ka deklaruar si naftë 7,180.050.50 litra ujë, ku ka pranuar fatura fiktive nga “Eurokoss” “Cini Oil”, “Veda-2-Petrol”, “Seticommerc” në vlerë prej 1.641.231.44 euro.

Ndërkaq, thuhet se vlera e padeklaruar sipas aktakuzës arrin 6,349.632.18 euro, të derdhura në 14 deponime në para të gatshme të “Gega Oil” si dhe kanë shkarkuar stokun fiktiv me faturë shitjeje prej 1,674.438.17 euro ndaj një blerësit anonim “qytetar” dhe nuk kanë raportuar fatura shitjeje prej 2.177.867.09 euro në vitin 2024.

Andaj, sipas Prokurorisë, me këto veprime buxhetit të shtetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4 milionë e 637 mijë e 893 euro e 69 centë.

Fatmir dhe Korab Visoka

Reklamë

Sipas aktakuzës, duke vepruar në bazë të marrëveshjes me Fariz dhe Faruk Mazrek. një pjesë të derivateve që u realizonte në emër të “Standard Petorl” me pronar Korab Visokën nga përcjellja me GPS mjetet transportuese kanë ndalur në Bashkinë e Vlorës në Shqipëri rreth 30 kilometra larg portit të Durrësit.

Ndërkaq, thuhet se nga kontrolla doganore janë ndaluar katër mjete transportuese nga të cilat mjeti tranpsortues në emër të “Standard Petrol” nga 3 komora, dy ishin me ujë mbi 90 për qind, ku më pas Fatmir Visoka lëshon dhe pranon faturë fiktive në stok për shitje për biznesin “Extra Petrol” si dhe 31 fatura të “Standard Petrol” në vlerë prej 1,028.768.57 euro dhe fatura për “Kosovo Olim” n vlerën prej 3.6 milionë, pa mall, pa import dhe pa pagesë bankare.

Me kërë rast, sipas aktakuzës, dëmi ndaj buxhetit të shtetit arrin vlerën e 1 milion e 294 mijë e 869 euro e 2 centë.

Gjithashtu, thuhet se Fatmir Visoka duke qenë person përgjegjës për “Kosovo Olim” aksionar formal Aldo Gaeta, me 63 deklarata të padorëzuara dhe me deklarimet e vitit 2022-24 brenda një dite të vetme dëmton buxhetin e shtetit në vlerë prej 2 milionë e 347 mijë e 314 euro e 43 centë, ndërsa Korab Visoka si aksionar në biznesin “Standard Petrol” ka deklaruar si naftë 2,181.272 litra me ujë, ka lëshuar 31 fatura pa mall ndaj “Kosova Oil” dhe me para të gatshme ka paguar “Gega Oil” 2,921.465.00 euro pa deklaruar si qarkullim. si dhe duke qenë përgjegjës dhe aksionar në “Premium Hotel”, të hyrat e fshehura të të cilit janë rindërtuar nga dokumentet e identitetit të mysafirëve. ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerën prej 2 milionë e 87 mijë e 632 euro e 17 centë.

Reklamë

Skender Kelmendi

Thuhet se ka bashkëpunuar me Faruk dhe Fariz Mazrek, duke siguruar/lëshuar fatura të rreme në emër të biznesit “Eurokos -Petrol” për shitje dhe blerje të derivateve të naftës nga “PO Petrol Pariz” dhe nga “Seticommerc” nga janari 2021 e deri dhjetor 2025.

Krejt kjo, thuhet se u bë me qëllim që biznesit të tij dhe personave të tjerë t’iu sjellë dobi pasurore të kundërligjshme që burojnë nga blerjet dhe shitje që nuk deklarohen të sakta në librat e tatimeve si të ardhura vjetore të “Eurokos-Petrol”, duke deklaruar kështu si blerje reale fatura fiktive të pranuara nga “PO Petrol Pariz” dhe “Seticommerc” në vlerën prej 1, 744.376.96 euro dhe duke regjistruar dy herë nëntë fatura përmes biznesit “Eurokos Petrol” prej 377,452. 39 euro.

Me këtë rast, dëmi ndaj buxheti të shtetit arrin vlerën e 469 mijë e 460 euro e 36 centë.

Reklamë

Nisret Bajraktari

Sipas aktakuzës, Bajraktari në bashkëpunim me Faruk dhe Fariz Mazrek për sigurimin dhe lëshimin e faturave të rreme në emer biznesit të tij “Seticommerc SH.P.K.”, në periudhën kohore janar 2021- dhjetor 2025, sipas kërkesave Farukut e Fazizit që faturimi të bëhet me data të dakorduara, dhe me qëllim që bizneseve të tyre dhe personave tjerë t’u sjellë dobi pasurore të kundërligishme, me blerjet fiktive dhe pranimi i faturave dhe transaksioneve fiktive të blerjes nga biznesi “Fariz Mazrek B. I.” — ka deklaruar si blerje reale faturat e “PO Petrol Fariz” në shumën prej 3,300,534.97 € për vitet 2021-25, për mall që nuk ka ekzistuar, duke deponuar personalisht kash 685,000.00€ në Ilogaritë e “Seticommerc SH .P. K”.

Më tej thuhet se ato para i ka përcjellë ditën e njëjtë ose të nesermën te “PO Petrol Faric”, “Kosova Oil” dhe “Veda-2”, me përshkrimin pagesë faturash.

Dëmi ndaj buxhetit thuhet se arrin vlerën 553 mijë e 617 euro e 33 centë.

Dashnim Miftari

Thuhet se në bashkëpunim me Faruk dhe Fariz Mazrek, pas takimeve të njëpasnjëshme dhe me qëllim të sigurimit të shitjeve dhe blerjeve të naftës, me datat përkatëse përfshirë datën 2 maj 2025, në Doganën e Kosovës ka deklaruar import të derivateve të naftës për bizneset “Veda-2-Petrol SH.P.K” dhe “Veda Group” SH.P.K, e derivati i deklaruar nga mjeti transportues/mauna ALR713 që është shkarkuar në fshatin Mamushë, te biznesi “PO Petrol”, ka rezultuar me ndërhyrje postfabrikore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, mjeti transportues dhe mauna në pronësi të “Sefa SH.P.K., që e drejtonte shtetasi shqiptar Valmir Bujari, ka deklaruar në Doganën e Kosovës më 25 tetor 2025 derivate të naftës që ka shkarkuar derivate në fshatin Begracë/Kaçanik, te biznesi “Veda Petrol”, e rrugës në kthim në orët e mbrëmjes, ka ndaluar në autostradën “Ibrahim Rugova”, në anën perëndimore të pushimores.

Më tej, thuhet se puseta te pushimorja e cila shërben për grumbullimin e ujërave nga reshjet atmosferike, ka shkarkuar ujë për disa minuta, ndërsa mostra e marrë në vendin e ngjarjes, rezultoi përmbajtje të ujit.

Po ashtu, thuhet se më 23 tetor 2025, mjeti transportues dhe autobota që e drejtonte shtetasi shqiptar Prekë Gjeka, e ka deklaruar në Doganën e Kosovës derivate të naftës dhe pas shkarkimit të derivateve të naftës për “Veda Petrol”, në orët e mbrëmjes ka shkarkuar ujin në lokacionin – në rrugën magjistrale Prishtinë – Pejë, në fshatin Komoran, në një parking afër një Qendre Tregtare.

Tutje, mostra e ekzaminuar u konstatua përmbajtje ujë, ndërsa në periudhën kohore janar 2021- dhjetor 2025 me deklarimet jo të plota për fakte relevante tatimore, thuhet se ka fshehur qarkullimin real në deklaratat tatimore përgjatë viteve 2021-2025, duke deklaruar furnizime që ATK nuk i ka pranuar si reale në vlerë prej 4,836,142.45 euro.

Andaj, buxhetit të shtetit i është bërë dëm në vlerën prej 1 milion e 376 mijë e 59 euro.

Adem Morina

Në aktakuzë thuhet se edhe Morina ka bashkëpunuar me të pandehurit Faruk Mazrek dhe Fariz Mazrek që nga viti 2021, kur të pandehurit Faruk dhe Fariz Mazrek kishin marrë një kredi prej 50,000.00 €.

Në aktakuzë thuhet se kredia ishte marrë përmes përmes biznesit “Fariz Mazrek”, me emër tregtar “PO Petrol Fariz”, ku garantues ishte biznesi “Cini Oil SH.P.K.”, që përfaqësohej nga i pandehuri Adem Morina, dy muaj pasi “Cini Oil SH.P.K.” i kishte shitur “PO Petrol Fariz” dy autobota për 2,000.00 € (06.09.2021), dhe për njëri-tjetrin siguronin lëshimin e faturave të rreme shitblerjeje në shuma prej qindra mijëra eurosh në emër të bizneseve të tyre.

Aty thuhet se në periudhën kohore janar 2021- dhjetor 2025, krahas aktivitetit real, ka deklaruar si naftë 168,223 litra (viti 2021) dhe 1,527,648.28 litra (viti 2025), ujë të importuar me autobota të modifikuara dhe ka pranuar fatura fiktive të blerjes nga “PO Petrol Fariz” në vlerë prej rreth 1.33 milionë euro, duke iu shmangur tatimit të TVSH-së dhe tatimit në të ardhurat vjetore të biznesit të tij, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë totale prej 772 mijë e 180 euro e 97 centë.

Sasivar Mazrek

Po ashtu ,edhe për Sasivar Mazrek thuhet se ka bashkëpunuar me të pandehurit Faruk Mazrek, Fariz Mazrek dhe Muhamet Mazrek, ku si pronar i biznesit “Sasso Group SH.P.K.” ka mbajtur në emër të vet pasuri të përdorura nga Faruk dhe Fariz Mazrek: automjete të klasit të lartë Mercedes-Benz S400d dhe Audi Q8, viti 2018, të përdorura prej tyre me autorizim, parcela të blera gjatë vitit 2025 në Mamushë me pesë kontrata shitblerjeje për gjithsej 82,200.00 € (prej të cilave 22,700.00 € në para të gatshme “jashtë zyrës noteriale”).

Në aktakuzë thuhet se aty përfshihej edhe parcela P-73213054-00753-0, ku ndodhen rezervuarët e “PO Petrol Fariz”, të blerë më 16 korrik 2025 për 7,800.00 € dhe të vlerësuar 679,000.00 € pas 36 ditësh për hipotekën e kredisë prej 400,000.00 € të “PO Petrol Fariz” në TEB, si dhe aksionet e biznesit “Produkt Invest SH.P.K.” (fabrika e tullave dhe parcela prej 165,396.70 m2 në Bokshiq të Klinës), të blera më 15 dhjetor 2025 me dy kontrata për të njëjtin objekt— njëra prej 20,000.00 € e paraqitur me LRP 1079/2025 dhe në ARBK, tjetra prej € “vetëm mes palëve”, me pagesë të lejuar në cash me 150,000.00 € dhe një veturë prej 50,000.00 € të paguara me nënshkrimin dhe me kontaktet e Faruk Mazrekut.

Dhe krejt në fund, thuhet se me deklarimet jo të plota për fakte relevante tatimore, ka fshehur qarkullimin real në deklaratat tatimore përgjatë viteve 2021-2025, duke ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë totale prej 87 mijë e 339 euro e 60 centë.

Muhamet Mazrek

Për këtë të akuzuar, në aktakuzë thuhet se ka pasur rol në menaxhimin dhe organizimin e transportimit të derivateve të naftës në periudhën kohore janar 2021 – dhjetor 2025, duke qenë në dijeni të plotë që mjetet transportuese bartin ujë në vend të derivateve, duke vepruar në atë mënyrë që ka dërguar mjetet transportuese/autobotat për modifikim në një punëtori pa mbishkrim në komunën e Hanit të Elezit.

Aty thuhet se kryhej ndërhyrja postfabrikore nga i pandehuri Gazmen Quni, saldues, ka mbajtur kontakte me persona të ndryshëm në Shqipëri dhe pranuar para në dorë (cash) në Shqipëri në emër të të pandehurit Faruk Mazrek, në shkurt 2022, duke qenë punonjës i biznesit “PO Petrol Fariz”, i ka dhënë këtij biznesi 100,000.00 € para të gatshme si “hua” pa interes (tri deponime më 15, 22 dhe 24.02.2022), të cilat i janë kthyer më 25.02.2022 nga kredia bankare.

Më tej, në aktakuzë thuhet se po atë ditë janë tërhequr menjëherë në para të gatshme, ka pasur edhe rolin e vozitësit në transportimin e derivateve të naftës që janë deklaruar në Doganën e Kosovës ku janë konstatuar ndërhyrjet postfabrikore, i njëjti ka mbikëqyrur lokacionin në Vlorë/Qarku Tiranë, vendi ku ndërrohen mjetet transportuese/autobotat dhe merreshin autobotet që kishin një pjesë ujë dhe një pjesë derivate, e që deklarohen të tëra si importe të derivateve në Doganën e Kosovës.

Naser Morina

Për të akuzuarin Morina, thuhet se në bashkëpunim me të pandehurit Faruk Mazrek dhe Muhamet Mazrek, pas angazhimeve të tij si vozitës në transportimin e derivateve të naftës, në periudhën kohore janar 2021 – dhjetor 2025, dhe duke iu referuar bisedës nga masat e fshehta, ka pasur dijeni të plotë për transportimin e mallrave duke qenë vozitës i mjeteve transportuese që përdoreshin për importimin e derivateve të naftës në pikën kufitare Vërmicë, me mjetet e transportit që kanë pasur ndërhyrje postfabrikore në mjetet transportuese/autobotat që kishin një pjesë ujë dhe një pjesë derivate, e që deklaroheshin të tëra si importe të derivateve në Doganë, e me qëllim të shmangies së kontrolleve doganore dhe përfitimit material për vete dhe për Faruk Mazrek e Muhamet Mazrek.

Gazmen Quni

Për këtë të akuzuar, në aktakuzë thuhet gjithashtu se në bashkëpunim me të pandehurit Faruk Mazrek dhe Muhamet Mazrek, gjatë periudhës kohore nga janari 2021 deri në dhjetor 2025, me dijeni ka kryer modifikimin e mjeteve transportuese duke ndërhyrë në pjesën e brendshme të autoboteve dhe ka krijuar hapësirë deri në 90% dhomave, mjetet që përdoreshin për importimin e derivateve të naftës në Kosovë e me qëllim që në vijën kufitare të Kosovës mjetet transportuese/autobotat të kalojnë duke e shmangur kontrollin doganor.

Kjo pasi që, sipas Prokurorisë, komorat/dhomat e autoboteve, dhoma ndarëse me derivat të naftës ka qenë e ndarë nga dhomat tjera të mbushura me ujë, ndërhyrjet e konstatuara në ekspertizat profesionale për shtatë autobotat dhe autobota pa tabela, që përfshijnë hapje në muret ndarëse, mbyllje të portave origjinale, bllokim ose eliminim të daljeve, ndryshim të tubacioneve dhe kolektorëve, si dhe lidhje të realizuara përmes saldimit dhe se cilësia e saldimeve dhe e mbylljeve të realizuara pas fabrikimit që ndikojnë në integritetin mekanik dhe hermeticitetin e autoboteve, si edhe në sigurinë funksionale të autobotës dhe me rrezik për sigurinë e transportit rrugor, saldimet e kryera në shtatë mjetet transportuese të sekuestruara për qëllime të bashkëpunimit kriminal dhe qëllim të përfitimit material për vete dhe për Faruk Mazrek e Muhamet Mazrek.

Me këto veprime të specifikuara sipas aktakuzës, 12 të pandehurit ngarkohen me veprën penale “Pjesmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277 dhe atë veprën penale nga paragrafi 2 i pandehuri Faruk Mazrek, ndërsa veprën nga paragrafi 1 të pandehurit e tjerë Fariz Mazrek, Korabn Visoka, Fatmir Visoka, Skender Kelmendi, Nisret Bajraktari, Dashnim Miftari, Adem Morina, Sasivar Mazrek, Muhamet Mazrek, Naser Morina dhe Gazmen Quni lidhur me veprën penale “Mashtrim” dhe veprën penale “Shmangia nga tatimi” .

Skender Kelmendi ngarkohet edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, me arsyetimin se më 1 korrik 2026 në vendbanimin e tij në Lipjan ka pas në posedim tri armë.

Po ashtu, Kelmendi ngarkohet edhe me veprën penale “Falsifikim i parasë” pasi që sipas aktakuzës, më 1 korrik 2026 në biznesin e tij, pompën e derivateve “EuroKos” në Komunën e Shtimes, ka pasur në posedim një shumë prej 143×2 euro dhe 3×1 euro monedha metalike të falsifikuara, me qëllim që t’i vë në qarkullim si të vërteta, të cilat nga ekspertimi i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë kanë rezultuar se nuk janë të prodhuara me teknologjinë standarde të prodhimit, monedhat kanë kualitet të dobët të stampimit të dizajnit të hartës, stampimit të yjeve, vlerën numerike si dhe karakteret në rrethin e monedhave, dhe monedhat metalike janë falsifikim i plotë.

Në anën tjetër, Fatmir Visoka ngarkohet po ashtu me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi që më 1 korirk 2026 thuhet se në vendbanimin në Prishtinë ka pasur 53 fishekë, mbajtja e të cilëve është në kundërshtim me ligjin.

Në anën tjetër, Faruk dhe Fariz Mazrek ngarkohen edhe me veprën penale “Përdorim i armës” me arsyetimin që kanë përdorë armë dhe krejt kjo dëshmohet bazuar në video-incizimet e siguruara.

Ndërkaq, për shpëlarje të parave ngarkohen: Faruk, Sasivar dhe Fariz Mazrek, Korab dhe Fatmir Visoka, Skender Kelmendi, Nisret Bajraktari, Dashnim Miftari, Adem dhe Naser Morina. /BetimipërDrejtësi/.