Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florian Dushi, ka deklaruar se ideja për një koalicion të përbashkët të partive opozitare me PDK-në nuk është diskutuar në organet e LDK-së dhe e ka cilësuar atë si një “shpikje” të kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

“Është shpikje e Abdixhikut, kurrë një ide të PDK-së për koalicion të opozitës nuk ka pasur”, ka deklaruar Dushi.

Ai ka thënë se një ide e tillë nuk ka qenë pjesë e diskutimeve brenda strukturave të LDK-së dhe se nuk i kujtohet ndonjë mbështetje për një propozim të tillë nga anëtarët e partisë.

Reklamë

“Kur një ide e tillë s’ka pasur, nuk është diskutuar në organet e LDK-së. Kurrë nuk më kujtohet që ka pasur ndonjë mbështetës brenda LDK-së për një ide të tillë”, ka thënë Dushi.

Sipas tij, LDK-ja ka diskutuar tema të tjera politike, përfshirë mundësinë e garimit në zgjedhjet e dhjetorit me një listë të përbashkët me Nismën Socialdemokrate, por jo një listë të përbashkët opozitare me PDK-në.

“Kemi diskutuar për tema të ndryshme, kemi diskutuar për garimin në zgjedhjet e dhjetorit në një listë të përbashkët me Nismën, e cila është refuzuar nga shumica e anëtarëve të kryesisë. Mirëpo, jo, nuk është diskutuar për një listë të përbashkët të opozitës me PDK-në dhe një lider”, ka deklaruar ai.

Dushi ka shtuar se nuk e di nëse një ide e tillë është diskutuar në ndonjë nivel tjetër, por ka theksuar se ajo nuk është trajtuar në organet zyrtare të LDK-së.

Dushi, ka deklaruar se do të ishte për keqardhje nëse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të ishte e përfshirë në presione ndaj delegatëve të LDK-së lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë.

Reklamë

Duke folur për një ftesë për kafe që një delegat i LDK-së ka marrë nga këshilltarja e presidentes Osmani dhe vetë presidentja, Dushi ka thënë se nuk mund të nxjerrë përfundime vetëm nga një takim apo telefonatë.

“Nuk mund ta dimë arsyen e vërtetë pse e ka ftuar për kafe zonjën delegate këshilltarja dhe zonja presidente. Do të më vinte shumë keq nëse këto presione ndaj delegatëve kanë qenë të involvuara edhe nga zonja Osmani”, ka deklaruar Dushi.

Ai ka thënë se LDK-ja e ka mirëpritur Osmanin në zgjedhjet e qershorit, pavarësisht historisë së përplasjeve politike me disa figura që, sipas tij, kanë qenë të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Osmanin e kemi mirëpritur në zgjedhjet e qershorit. Me një pjesë nuk ka qenë shumë e lehtë. Po flas për njerëz që kur i kanë shërbyer Albin Kurtit dhe VV-së kanë qenë të pamëshirshëm në deklarimet e tyre dhe jo korrekt ndaj LDK-së, ndërsa LDK-ja ka hapur dyer dhe ka përkrahur këto figura”, ka thënë ai.

Reklamë

Dushi ka theksuar se çdo formë presioni ndaj delegatëve do të ishte e dëmshme për proceset e brendshme të partisë.

“Çfarëdo presioni qoftë, është për keqardhje. Por për një ftesë për kafe dhe një telefonatë nuk mund të nxjerr një përfundim”, ka shtuar Dushi.