×
  • Lajme
  • Lajme

    Dy vëllezër në mesin e 7 të dyshuarve për grabitjen në Suharekë – njeri u vra sot nga shkëmbimi i zjarrit me Policinë, tjetri u arratis

    Reporteri
    30 Nëntor 2023 | 15:41

    Dukagjin Gashi, njëri nga grabitësit e argjendarisë në Suharekë është vrarë, të enjten, në Prishtinë, gjatë operacionit të Policisë së Kosovës për kapjen e grupit kriminal ku pjesë e tij dyshohet se është edhe vëllai i tij, Korab Gashi, raporton gazeta online Reporteri.net. 

    Përveç në Prishtinë, operacioni policor është zhvilluar sot në disa lokacione. Policia ka njoftuar se sot ka kapur katër të dyshuar për ngjarjen e javës që shkoi në Suharekë. Derisa, të njëjtit kanë njoftuar se një person tjetër ndodhet ende në arrati.

    Po ashtu, PK ka konfirmuar edhe vrasjen e njërit prej grabitësve, gjatë shkëmbimit të zjarrit. Vrasja e të dyshuarit për grabitje ka ndodhur në lagjen Arbëria të Prishtinës – e njohur edhe si Dragodan.

    Gjatë aksionit është plagosur edhe një polic.

    “Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor. Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar”, ka njoftuar Policia.

    Sipas raportimeve të para, pjesë e grupit që kreu grabitjen e armatosur të 22 nëntorit ka qenë edhe vëllai i Dukagjinit, Korab Gashi. E pikërisht ky i fundit ndodhet ende në arrati dhe Policia është në kërkim të tij.

    Ndërkohë gjatë aksionit të sotëm, – ku pati edhe shkëmbim zjarri me Policisë, e ku si pasojë u vra i dyshuari Gashi -, Policia e Kosovës ka arritur t’i arrestojë edhe katër të dyshuar tjerë në lidhje me të njëjtin krim. Dy prej tyre janë Bujar Basha dhe Leutrim Cakolli.

    I famshmi i arratisjeve nga Dubrava arrestohet për grabitjen e armatosur në Suharekë

    Bujar Basha, siç raportoi gazeta online Reporteri.net, është emër i njohur për autoritetet e sigurisë në vend. Ai është një ish i dënuar për grabitje tjera të armatosura në Kosovë, si dhe për arratisjet e bujshme nga Burgu i Dubravës.

    Ndryshe, më 22 nëntor ka ndodhur një plaçkitje e armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic i Kosovës në këmbë.

    Nga ky incident, përveç një polici të plagosur, kishte mbetur edhe një tjetër i lënduar.

    Të nesërmen tre të dyshuar janë arrestuar. Dy prej tyre, Gjykata e Prizrenit u ka vendosur një muaj paraburgim, derisa një tjetër u lirua.

    Të dy të paraburgosurit, Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri, dyshohen për ndihmë në kryerjen e grabitjes së armatosur. Ata, pas arrestimit janë dërguar në paraburgosje në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

    Ndërkohë, sipas Policisë, në total numri i të arrestuarve për krimin në Suharekë ka shkuar shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor.

    Policia dhe Prokuroria konfirmojnë 4 të arrestuar dhe 1 të vrarë pas aksionit të sotëm

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!