×
  • Lajme
  • Lajme / Hulumtimi i Gazetës Reporteri

    Dyshimet për konflikt interesi në konkursin për prokurorët e rinj, Anti-korrupsioni nis hetimet

    Autor:Arlinda Xh. Rrmoku
    19 Qershor 2024 | 18:22

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka nisur të hetojë dhe mbledhë informacionet e nevojshme për të dalë me konstatim përfundimtar nëse ka pasur konflikt interesi në një rast në konkursin për përzgjedhjen e Prokurorëve të rinj të Shtetit. Fjala është për rastin e kandidatit, Dardan Makolli, për të cilin raportoi Gazeta Online Reporteri.net se është familjar i anëtares së Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, Jehona Makolli Grantolli, që njëherit është edhe zëvendëskryesuese e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

    Anti-Korrupsioni ka konfirmuar të mërkurën se ka nisur të hetojë rastin në fjalë, teksa bëri të ditur se pas hulumtimit të Gazetës Online Reporteri.net, për rastin në fjalë, në APK janë deponuar edhe dy raportime të tjera anonime.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është në fazën fillestare/përgatitore të trajtimit të rastit. Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit pas raportimit/pyetjeve nga ju, ka pranuar edhe dy raportime anonime për të njëjtin rast’”, thuhet në përgjigjen e APK-së për Reporteri.net.

    Mirëpo, për të verifikuar pretendimet tuaja dhe dhënë përgjigje adekuate, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit duhet të merr informacionet zyrtare nga KPK, t’i verifikojmë ato dhe pastaj do të me del me konstatim përfundimtar nga aspekti administrativ’’.

    Tutje, nga kjo agjenci treguan se si institucionet publike janë të obliguara me legjislacionin në fuqi që te rastet e rekrutimit të kuadrove të reja, të kenë parasysh situatat e mundshme të konfliktit të interesit, që anëtaret e Komisioneve përzgjedhëse mund t’i kenë kandidatët për punësim.

    Konkursi për prokurorët e rinj, njëri nga të përzgjedhurit familjar i anëtares së Komisionit

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kurdo që institucionet kanë kërkuar ka dhënë këshilla, përveç mbajtës së trajnimeve për personat përgjegjës, zyrtar të institucioneve specifike, se çfarë duhet të bëhet në rastet e shfaqjes së situatave të tilla”, njofton Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

    Ndryshe, Gazeta Online Reporteri.net pak ditë më parë raportoi se kandidati për Prokuror të Shtetit, Dardan Makolli, i cili ka lidhje të afërt familjare me Prokuroren Jehona Makolli Grantolli, e cila gjithashtu ishte anëtare e Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, rezultoi të jetë një nga kandidatët të cilët kanë kaluar testin me shkrim në konkursin për prokurorët e rinj.

    Rezultatet janë publikuar tek të premten, ë 14 qershor, ndërkaq emri i Makollit renditet i 26-i në listë me 38.4 pikë. Testi me shkrim për rekrutimin e 24 Prokurorëve të rinj të Shtetit ishte mbajtur më 9 qershor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

    Jehona Makolli Grantolli, ishte caktuar si anëtare e Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, më 15 janar të këtij viti. Kjo u konfirmua për Gazetën Online nga vetë Këshilli Prokurorial i Kosovës, të cilët edhe mohuan se kishte pasur ndonjë konflikt interesi në rastin e saj si anëtare e komisionit dhe kandidatit Makolli.

    Ju njoftojmë se në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), pas përfundimit të Testit me Shkrim, më datën 9 qershor 2024, nuk ka pasur ankesa nga ana e kandidatëve për prokurorë të shtetit dhe nëse ka të tilla do t’i shqyrtojë Komisioni për Rishqyrtim. Gjithashtu, ju njoftojmë se nuk ka pasur as konflikt interesi gjatë këtij procesi dhe se tërë procesi është monitoruar nga përfaqësuesit e EULEX-it dhe OSBE-së”, thuhej në përgjigjen e KPK-së për Gazetën Reporteri.net.

    Përveç kandidatit Makolli, të hënën në media u raportua se në mesin e kandidatëve që e kanë kaluar testin është edhe Nita Lumezi, vajza e ish-Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Vilson Maloku, djali i ish-kryesuesit të KPK-së, Jetish Maloku.

    Kandidatët e përzgjedhur që kanë kaluar testimin me shkrim, shumë shpejt pritet t’i nënshtrohen testimit me gojë./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!