×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime / Dyshime për konflikt interesi

    Konkursi për prokurorët e rinj, njëri nga të përzgjedhurit familjar i anëtares së Komisionit

    Autor:Arlinda Xh. Rrmoku
    14 Qershor 2024 | 21:37

    Emri i Dardan Makollit është në listën e kandidatëve të përzgjedhur në konkursin për prokurorët e rinj që kanë kaluar testimin me shkrim. Makolli ka lidhje familjare me një prej anëtarëve të Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, Jehona Makolli Grantolli, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Rezultatet janë publikuar tek të premten, ndërkaq emri i Makollit renditet i 26-i në listë me 38.4 pikë.

    Në kuadër të konkursit për rekrutimin e 24 prokurorëve të rinj të shtetit, më 9 qershor është mbajtur testi me shkrim në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

    Burimet e Gazetës Online Reporteri.net kanë bërë me dije se në këtë proces dyshohet se mund të ketë një rast konflikti interesi, për shkak se kandidati, Dardan Makolli, e ka familjar të afërt prokuroren, Jehona Makolli Grantolli, e cila është caktuar si anëtare e Komisionit më 15 janar të këtij viti. Rrjedhimisht, nga lidhja e tyre familjare, ka dyshime se prokurorja Makolli Grantolli mund të ketë pasur ndikim në përzgjedhje.

    Nga Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë thënë për Gazetën Reporteri se nuk ka pasur ankesa nga ana e kandidatëve pas përfundimit të testit me shkrim. Të njëjtit kanë pretenduar se nuk ka pasur konflikt interesi gjatë procesit, i cili është monitoruar nga përfaqësuesit e EULEX-it dhe OSBE-së.

    Ju njoftojmë se në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), pas përfundimit të Testit me Shkrim, më datën 9 qershor 2024, nuk ka pasur ankesa nga ana e kandidatëve për prokurorë të shtetit dhe nëse ka të tilla do t’i shqyrtojë Komisioni për Rishqyrtim. Gjithashtu, ju njoftojmë se nuk ka pasur as konflikt interesi gjatë këtij procesi dhe se tërë procesi është monitoruar nga përfaqësuesit e EULEX-it dhe OSBE-së”, thuhet në përgjigjen e KPK-së për Gazetën Reporteri.

    Emërimin e prokurores Makolli Grantolli në cilësinë e anëtares së Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit e ka vendosur KPK-ja.

    Ju njoftojmë se Komisioni për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit është duke vazhduar procesin e vlerësimit të testeve me shkrim për kandidatët për prokurorë të shtetit dhe lidhur me rezultatet do të njoftoheni me kohë, kurse anëtarja e KPK-së, znj.Jehona Grantolli, është caktuar me vendim të KPK-së, më 15 janar 2024, në cilësinë e anëtares së Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit”, thanë nga KPK për Gazetën Reporteri.

    Gazeta Online Reporteri.net lidhur më këtë çështje ka dërguar pyetje edhe në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Të njëjtit ende nuk kanë kthyer përgjigje për të dhënë sqarime apo konfirmuar nëse ka konflikt interesi në procesin e rekrutimit të prokurorëve të rinj të shtetit.

    Ndryshe, sipas njoftimit zyrtar nga KPK-ja, në testin me shkrim kanë marrë pjesë 281 kandidatë, prej tyre 150 burra dhe 131 gra, nga të cilët dy janë pjesëtarë nga radhët e minoriteteve.

    Ky test është zhvilluar në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve ndërkombëtarë të EULEX-it dhe OSBE-së, me ç’rast paraprakisht Komisioni për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit ka hartuar pyetjet për kandidatët që fituan të drejtën për të marrë pjesë në këtë testim.

    Rezultatet janë publikuar të premten.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!