Policia e Kosovës ka zhvilluar dy kontrolle në lokale të ndryshme në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin për organizim të lojërave të fatit të paligjshme.
Rasti i parë është regjistruar më 11 nëntor, rreth orës 13:40, në rrugën “Sutjeska”, ku gjatë një kontrolli të realizuar nga inspektorët sanitarë janë hasur tre persona duke zhvilluar lojëra të fatit përmes telefonave dhe pajisjeve elektronike.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar telefonat dhe pajisjet përkatëse.
Ndërsa rasti i dytë është regjistruar në të njëjtën ditë, rreth orës 15:10, në rrugën “Zoran Gjingjiq”, ku gjatë kontrollit të një lokali janë gjetur dhe sekuestruar një laptop dhe materiale të tjera.
Personat e përfshirë janë intervistuar, ndërsa të dy rastet janë duke u hetuar.
Në raportin 24-orësh, Policia e Kosovës ka dhënë detaje për të dy kontrollet.
“Në një lokal inspektorët sanitarë kanë realizuar një kontroll ku janë hasur tre persona duke zhvilluar lojëra të fatit përmes telefonave dhe pajisjeve elektronike. Gjatë kontrollit janë sekuestruar telefonat dhe pajisjet përkatëse. Rasti nën hetime.
Është realizuar kontrolli në një lokal me dyshimin e bazuar se janë duke u organizuar lojëra të fatit. Në lokal janë gjetur dhe sekuestruar një laptop dhe materiale të tjera. Janë intervistuar personat e përfshirë. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.