Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka reaguar ndaj deklaratës së ish-deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, i cili ka thënë se Mustafa “pak a shumë e di kush ia ka vrarë babanë”.

Para hyrjes në sallën e Kuvendit, Mustafa ka deklaruar se familja e tij dhe gjithë qytetarët e Kosovës presin që vrasja e veprimtarit të LDK-së, Xhemajl Mustafa, të zbardhet nga institucionet e drejtësisë dhe jo përmes deklaratave në studio televizive.

“Unë për vrasjen e babës dhe i gjithë populli i Kosovës kërkon e pret drejtësi nga gjykatat vendore e jo në studiot televizive, aq më pak nga z. Xhavit Haliti, ky është i vetmi koment”, ka thënë Mustafa para mediave.

Reklamë

Reagimi i deputetit të LDK-së vjen pasi Haliti, në një emision në ATV, duke folur për vrasjet e pazbardhura politike të pasluftës, ka deklaruar se Besian Mustafa mund të ketë informacione për vrasjen e babait të tij.

“Aty ka deputetë si zoti Mustafa që ia kanë vrarë babanë. Ai pak a shumë e di kush ia ka vrarë babanë. Kanë qarkulluar lloj-lloj të dhënash, ose nuk e di, por kërkon ndihmë për ta zbuluar”, ka deklaruar Haliti.

Xhemajl Mustafa, veprimtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, u vra në nëntor të vitit 2000 në Prishtinë. Vrasja e tij vazhdon të mbetet një nga rastet e pazbardhura të pasluftës në Kosovë.