Kuvendi i Kosovës ka miratuar përbërjen e re të Këshillit Kombëtar të Shkencës, me 67 vota për, një kundër dhe katër abstenime.
Gjatë seancës plenare, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrullah Çeku, ka prezantuar 15 emrat e propozuar për anëtarë të këtij këshilli.
Në përbërjen e miratuar janë: Aliriza Arenliu, Arbnora Dushi, Armand Daci, Arven Syla, Besnik Krasniqi, Emine Kalaja-Hajdari, Fetah Podvorica, Ibrahim Krasniqi, Majlinda Bregasi, Mentor Alishani, Mihone Kerolli-Mustafa, Mimoza Ibrani, Myzafere Krasniqi, Tringa Dedi dhe Valmir Krasniqi.
Kryetari i Komisionit për Arsim dhe Shkencë, Enver Hoxhaj, gjatë prezantimit të rekomandimit të komisionit, ka bërë të ditur se përbërja e propozuar është shqyrtuar në mbledhjen e mbajtur më 9 nëntor 2026.
“Komisioni për Arsim e Shkencë, në bazë të neneve 29, 30 dhe 110 të Rregullores së Kuvendit, në mbledhjen e mbajtur më 09.11.2026, ka shqyrtuar kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës me numër 07/08 të datës 28.10.2026 dhe i rekomandon Kuvendit të Kosovës si Komision për Arsim që ta votojë këtë përbërje”, deklaroi Hoxhaj.
Ai bëri të ditur se grupi parlamentar që përfaqëson do ta mbështesë përbërjen e propozuar.
Kritika për listën pati deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, e cila vuri në pikëpyetje përfaqësimin dhe kriteret profesionale të disa prej anëtarëve të Këshillit.
Haxhiu tha se Këshilli duhet të jetë funksional dhe përbërja e tij të përfshijë emra që i japin kredibilitet këtij institucioni.
“Me shumë sinqeritet ju them që ky këshill do të duhej të ishte funksional dhe kjo listë vërtet do të duhej të na përbashkonte, në mënyrë që vërtet të kemi anëtarë që i bëjnë nder këtij këshilli”, tha ajo.
Deputetja përmendi në veçanti Fetah Podvoricën, për të cilin tha se ka krijuar emër në fushën e tij, por kritikoi përbërjen e përgjithshme të listës.
“Ka emra të përveçëm që kanë qenë si Fetah Podvorica, që vërtet ka një emër në vete, që e ka ndërtuar. Por, ashtu siç ju thashë dhe pak më herët, ka emra që jo vetëm që nuk e kanë edhe shkollimin që do të duhej t’i bënin nder këtij këshilli”, u shpreh Haxhiu.
Ajo pretendoi se lista është e dominuar nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Mund t’ju them me shumë sinqeritet për PDK-në mbi të gjitha, që kjo listë është 90% Vetëvendosje”, deklaroi deputetja.
Haxhiu iu referua gjithashtu një deklarimi të Majlinda Bregasit për Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.
“Po jua rikujtoj Majlinda Bregasin: ‘Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti’. Edhe një herë për ju që nuk e dëgjuat mirë: ‘Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti’”, tha ajo.
Me votimin në Kuvend, përbërja e propozuar e Këshillit Kombëtar të Shkencës mori miratimin e shumicës së deputetëve të pranishëm.