Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas protestës masive që u zhvillua sot në Prishtinë kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale në Hagë dhe në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen aty.
Ai ka theksuar se në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte një rezolutë për padrejtësitë ndaje krerëve të UÇK-së, ajo do të mbështetej edhe nga Kuvendi i Shqipërisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, për sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij janë shqelmuar prej vitesh si hiçasgjë?! Natyrisht, në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asgjësimin e procesit të rregullt ligjor”, ka shkruar kryeministri shqiptar.
Rama publikoi një fotografi nga lartësia, ku duket qartë numri i madh i qytetarëve që mbushën sheshet e Prishtinës sot.