×
  • Lajme
  • Lajme

    Emisari norvegjez: Dialogu të përqendrohet në rezultate e jo në afate kohore, s’planifikojmë të japim propozime tona e as se kam parë propozimin franko-gjerman

    Reporteri
    20 Tetor 2022 | 11:38
    Përfaqësuesi Special i Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne S. Bjørnstad

    Autor: Xhezair Dashi


    Norvegjia propozimin “franko-gjerman” e sheh si plotësues e jo konkurrues ndaj Dialogut të fascilituar nga Brukseli ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha Përfaqësuesi i Posaçëm i Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne S. Bjørnstad, në një përgjigje ekskluzive për gazetën online Reporteri.net.

    Megjithëse Bjørnstad thotë se propozimin “franko-gjerman” nuk e ka parë dhe se do të preferonte të mos jepte një vlerësim për të, ai i mirëpret propozimet e Parisit dhe Berlinit.

    “Unë s’e kam parë propozimin “franko-gjerman”, kështu që s’do të doja të jap një vlerësim për të. Sidoqoftë, përkushtimi i Berlinit dhe Parisit për iniciativë në dialogun Serbi-Kosovë është për t’u mirëpritur”, thotë ai që në nisje të bisedës.

    “Ne propozimin “franko-gjerman” e shohim si plotësim dhe jo si konkurrencë ndaj Dialogut të Brukselit. Por, sigurisht se u mbetet palëve të vendosin nëse duan ta kornizojnë dialogun e udhëhequr nga BE sipas propozimeve të këtyre dy shteteve anëtare të BE-së”, tha Arne S. Bjørnstad.

    Arne S. Bjørnstad, si një diplomat i angazhuar për një kohë të gjatë me çështje ballkanike, si dhe ish-ambasador norvegjez në Beograd, tashmë Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, thotë se Norvegjia ka qenë angazhuar në Ballkan që nga vitet 1990.

    Por, pyetur se a do të angazhohet Norvegjia konkretisht përmes propozimeve të saj, njëjtë si Franca e Gjermania, Bjørnstad që para katër ditësh qëndroi në Prishtinë, thotë se shteti i tij nuk ka planifikuar një gjë të tillë.

    “Norvegjia është angazhuar në përpjekjet për stabilizim dhe ripajtim në Ballkanin Perëndimor që nga vitet e 90’ta, por ka histori edhe më të gjatë angazhimi në rajon. Gjithmonë ne kemi punuar me partnerët tanë perëndimor”, i tha ai gazetës online Reporteri.net.

    “Sa i përket dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ne bëjmë më të mirën e përpjekjeve tona për të mbështetur dialogut e udhëhequr nga BE – që për neve është e vetmja rrugë para – si dhe punën e shkëlqyeshme të Përfaqësuesit Special të BE-së [Miroslav Lajçak]”.

    Prandaj, thotë ai, “nuk planifikojmë të paraqesim propozime tona”.

    “Sa për pritshmëritë [rreth dialogut], ne besojmë se duhet të përqendruar në rezultatin, dhe jo afatet kohore”, konkludoi Arne S Bjørnstad, kur e pyetëm rreth një afati fiks për një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më së largu deri në maj të vitit 2024.

    Zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, tha se është çështje javësh që palët pritet të pajtohen rreth një “rruge për të vazhduar para” për dialogun.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “marrëveshja duhet arritur sa më parë” kur u pyet nga Tim Sebastian në “Conflict Zone” se a do të ketë marrëveshje para majit 2024. Kurti u përgjigj se “nuk jam i sigurt se i kemi as dy vite kohë”.

    Propozimi “franko-gjerman”, siç e ka shpjeguar presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, nënkuptonte që Serbia të pranonte dhe të mos e pengonte Kosovën të anëtarësohej në institucionet dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashluara, në këmbim të anëtarësimit të përshpejtuar të Serbisë në Bashkimin Evropian si dhe ndihmë të konsiderueshme financiare për Beogradit.

    Përfaqësuesi Special i Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjørnstad, në fillim të kësaj jave ka qëndruar në Prishtinë. I shoqëruar nga ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl, ai është pritur në takim edhe nga Kryeministri Albin Kurti.

    “Me Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Bjørnstad u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete, Republika e Kosovës është treguar se është palë konstruktive në procesin e dialogut drejt marrëveshjes ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke, u shpreh kryeministri Kurti”, ka njoftuar të hënën Zyra e Kryeministrit të Kosovës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!