×
  • Lajme
  • Lajme

    Erërat hedhin në tokë pullazin e Pallatit të Drejtësisë – këto janë incidentet tjera që u shënuan qysh nga përurimi i objektit

    Reporteri
    23 Prill 2019 | 20:04

    Erërat e forta që kanë përfshirë vendin kanë nisur t’i lënë pasojat e para, ku  disa fshatra kanë mbetur në terr, konkretisht në rajonin e Ferizajit, Mitrovicës dhe Gjilanit.


    Por erërat kanë shkaktuar dëme edhe në Prishtinë. Pjesë të pullazit të Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë kanë rënë në tokë, objekt ky që ka kushtuar mbi 30 milionë euro, shkruan Reporteri.net.

    Ky objekt nga përurimi është karakterizuar me varg incidentesh, ku kanë ndodhur lëndim të punonjësve, alivanosje e ndërprerje të punës.

    Sistemi i dobët i ajrosjes, defektet me sistemin e ujësjellësit, të klimës, liftet, tavanet, janë vetëm disa nga parregullsitë, të cilat po e karakterizojnë dhe “paralizojnë” punën në këtë objekt.

    Si pasojë ka pasur raste të shumta të lëndimeve e alivanosje të punonjësve, ndërprerje të punës e madje edhe protesta të organizuara nga Sindikata e Punëtorëve të Judikaturës.

    Një problem tjetër që është paraqitur në Pallatin milionësh është edhe mosfunksionimi i ashensorëve, duke përfshirë këtu Gjykatën Themelore të Prishtinës, Gjykatën e Apelit si dhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ku në disa raste ka pasur edhe ngujim të stafit që punon në pallat në ashensorë.

    Më 2015 ishin lënduar tre prokurorë nga mosfunksionimi i liftit.

    Makifete Saliuka dhe Sanije Nebihu, dy nga punonjëset e lënduara të Gjykatës së Apelit pas prishjes së ashensorit.

    Mungesa e kushteve të punës, e veçanërisht mungesa e oksigjenit dhe mosfunksionimi i sistemit të ventilimit, ishte arsyeja pse punëtorët e Pallatit të Drejtësisë protestuan më 29 mars të 2016-tës.

    Tjetër problem është vërshimi nga të reshurat.

    Sa herë që bie shi i rrëmbushem në Prishtinë, zyrat në këtë Pallat  vërshohen nga uji.

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!