×
  • Lajme
  • Lajme / Refuzimi nga Kosova

    Escobar: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe s’duhet të krijojë probleme brenda Kosovës

    Reporteri
    22 Shtator 2023 | 14:22

    Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk duhet të krijojë probleme brenda Kosovës, ka thënë I dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    “E kemi thënë vazhdimisht se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të krijojë probleme brenda Kosovës për funksionalizim, duhet të jenë në përputhje me Kodin e saj ligjor, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën”, ka deklaruar ai për REL, shkruan Reporteri.net.

    Sipas Escobar, ekziston mundësia që serbëve t’u ofrohet një sistem menaxhimi por pa krijuar një Republikë Sërpska, të cilën tha se ShBA-ja, në mënyrë të përsëritur, ka thënë se nuk do ta lejojë.

    “Pra, brenda kësaj, unë ende mendoj se ka një kapacitet të madh për t’i lejuar serbët të menaxhojnë shërbimet e tyre komunale në një mënyrë që u përshtatet më së miri qytetarëve të tyre, pa u bërë Republikë Sërpska”.

    Escobar: Jam i shqetësuar për mesazhet që vijnë nga Prishtina

    “Ne e kemi adresuar atë në mënyrë të përsëritur. Dhe, jam i zhgënjyer që ajo pikë bisede vazhdon të ngrihet – se kjo do të jetë Republika Sërpska. Nuk do të bëhet [një Republikë Sërpska]. Me të vërtetë bëhet fjalë për autoritete komunale që bëjnë atë që komunat tashmë e bëjnë në gjuhën serbe”, tha Escobar.

    Mirëpo, përkundër thirrjes së përsëritur të Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara që Kosova të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Qeveria e Kosovës nuk shprehet e gatshme të ndërmarrë hapa në këtë drejtim

    Pas përfundimit të bisedimeve pa ndonjë rezultat, javën e kaluar, Kurti ka thënë se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

    Për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013.

    Përkundër kërkesave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve dhe të Serbisë, Kosova nuk e ka zbatuar kurrë atë marrëveshje, nga frika se mund të ndikojë në funksionalitetin e shtetit. /Reporteri.net/.

    Asociacioni – kërkesa e pandalshme e ndërkombëtarëve karshi Kosovës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!