×
  • Lajme
  • Lajme / Themelimi

    Asociacioni – kërkesa e pandalshme e ndërkombëtarëve karshi Kosovës

    Reporteri
    22 Shtator 2023 | 8:52
    Zotimi i Kurtit kundër themelimit të Asociacionit, SHBA: Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar, është thelbësore të respektohen marrëveshjet e Brukselit

    Përkundër thirrjes së përsëritur të Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara që Kosova të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Qeveria e Kosovës nuk shprehet e gatshme të ndërmarrë hapa në këtë drejtim, shkruan Reporteri.net.

    BE-ja kërkoi të martën që puna për themelimin e këtij asociacioni, të nisë “pa vonesa të reja”.

    Dje, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, theksoi se Bashkimi Evropian po monitoron me kujdes situatën në veri të Kosovës dhe ritheksoi se BE-ja tashmë e ka thënë qartë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të fillojë menjëherë pa vonesa dhe kushte.

    Stano deklaroi në konferencën për shtyp se janë në kontakt me autoritetet kompetente për të kuptuar plotësisht zhvillimin e ngjarjeve dhe nëse është e nevojshme të mund të reagojnë siç duhet.

    Kur bëhet fjalë për mënyrën se si BE-ja e sheh situatën në veri të Kosovës, Stano ka deklaruar se kjo është thënë qartë edhe në deklaratën e përbashkët të 27 anëtarëve të BE-së.

    “Aty thuhet gjithçka, si dhe të gjitha pritjet e BE-së sa i përket Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës”, tha Stano.

    Zëdhënësi i BE-së përsëriti se BE-ja ka thënë qartë se formimi i Asociacionit duhet të fillojë menjëherë pa vonesa dhe kushte.

    “Si do të bëhet, në çfarë mënyre, në çfarë forme do të jetë, do të diskutohet në dialog. Dialogu është platforma ku do t’i zgjidhim këto çështje. Procesi i negociatave duhet dhe do të jetë në dialog, jo në media dhe publik”, tha ai.

    Stano theksoi se Asociacioni është një obligim ndërkombëtar që Kosova e ka marrë dhe ritheksoi se çështjet teknike, si do të duket, si do të funksionojë, çfarë statuti do të ketë, janë gjëra për të cilat do të punohet në dialog.

    “Këto janë gjëra që BE pret të bëhen në dialog”,tha Stano.

    Shefi i politikës së jashtme të bllokut evropian, Josep Borrell, përsëriti po ashtu se Kosova dhe Serbia duhet ta zbatojnë Marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve, bazuar në vetë propozimin e BE-së.

    Ky propozim kërkon që zbatimi të nisë me “hapjen e procesit negociues për statutin e instrumenteve për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë“ – gjë që nënkupton Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Edhe këshilltari i Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Christian Ramet, tha se BE-ja po u kërkon palëve që të fillojnë pa vonesë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera të arritura.

    “Kur të implementohet marrëveshja e Ohrit, do të hapen mundësi që nuk kanë qenë më herët dhe do të ketë benefite për Kosovën. Kjo besoj që është arritja me e madhe e dialogut deri më tani. Por duhet të fillojë implementimi i marrëveshjes dhe aneksit. Marrëveshja ka ndodhur qe tre muaj dhe nuk ka ndodhur asnjë progres. Shumë potencial ka humbur në menaxhimin e krizës dhe uljes së tensioneve. Kur ka tensione nuk ka hapësirë për dialog dhe normalizim. Ajo që BE pret është implementimi, sigurisht. BE u kërkon palëve që të fillojnë pa vonesë zbatimin dhe të gjitha marrëveshjet e tjera”, tha Ramet dje në Samitin e Paqes dhe Demokracisë.

    Dje, edhe Shtetet e Bashkuara thanë se kanë besim të plotë në Bashkimin Evropian sa i përket ndërmjetësimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, gjatë një fjalimi të mbajtur në edicionin e dytë të Samitit të Paqes dhe Demokracisë që u mbajt dje në Prishtinë, foli për dialogun.

    “SHBA-ja ka besim të plotë në BE-në në ndërmjetësimin e saj të dialogut, SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë [të BE-së, Josep] Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike”, tha Hovenier.

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se ideja origjinale e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve ishte që nuk mund të ketë themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa njohje të ndërsjellë.

    “Vetëm një çelës është i mundshëm për të ecur dialogu përpara, Asociacioni bashkë me njohjen, përndryshe nuk ka avancim të dialogut, është problem”, tha ai për mediat në Prishtinë, duke shtuar se është në përgjegjësinë e Kosovës që të gjejë formën që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe të mos e cenojë rendin juridik.

    Sipas Konjufcës pozicioni i Serbisë është që Kosova duhet të themelojë një Asociacion të komunave me shumicë serbe “jashtë çdo ombrelle politike të procesit që ka arritur në këtë pikë ku jemi tash”.

    Ai tha se ekspertët që kanë hartuar Aneksin për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi e kanë zgjeruar ombrellën, teksa komentoi edhe deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se ndërmjetësi i dialogut, Mirosllav Lajçak është “pozicionuar” kundër Kosovës.

    “Zgjerimi i ombrellës është që aty të jetë njohja [e ndërsjellë] dhe Asociacioni. Tash Lajçak po thotë që aty është vetëm Asociacioni. Njohja i përket Serbisë kur do ajo, do të thotë ky është pozicion i Serbisë. Nëse Lajçak e artikulon këtë dhe thotë që ky është pozicion i BE-së, atëherë ne mund të themi që [i dërguari i BE-së për dialogut, Mirosllav]Lajçak paska kontribuar që ky pozicion zyrtar i BE-së të jetë kjo që e përfaqëson Serbia”, tha Konjufca.

    Propozimi u dha në rundin e fundit të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, që u mbajt javën e kaluar në Bruksel, por që, sipas diplomatëve të BE-së, u refuzua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe u pranua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Kurti, në disa raste, ka thënë se nuk mund të lejojë themelimin e një asociacioni njëetnik, i cili do të kishte kompetenca ekzekutive, siç kërkon Beogradi.

    Pas përfundimit të bisedimeve pa ndonjë rezultat, javën e kaluar, Kurti ka thënë se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

    Duke folur në një konferencë me gazetarë, një ditë më herët, ai tha se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është “pozicionuar kundër Kosovës” në takimin e 14 shtatorit.

    Kurti, po ashtu, tha se në ditët në vazhdim do të ketë takime me “të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët e kanë pranuar shtetin e Kosovës”.

    Për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013.

    Përkundër kërkesave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve dhe të Serbisë, Kosova nuk e ka zbatuar kurrë atë marrëveshje, nga frika se mund të ndikojë në funksionalitetin e shtetit./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!