×
  • Lajme
  • Lajme

    Escobar pas takimit me Kurtin: E bëra shumë të qartë, e presim implementimin e Asociacionit

    Reporteri
    13 Dhjetor 2022 | 19:35

    Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se ia ka bërë të qartë pritjen e tij kryeministrit të Kosovës që të fillohet të punohet drejt implementimin të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

    Escobar ka thënë se pret angazhim konkret në një të ardhme të afërt mbi këtë çështje.

    “Unë e bëra të qartë edhe pritjen time që të fillojmë të flasim për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. E bëra shumë të qartë, prandaj shpresoj që do të shohim angazhim gjatë kësaj krize në një të ardhme të afërt”, ka deklaruar Escobar pas takimit me Kurtin.

    Escobar, ka folur shkurt para mediave. Ai ka thënë se me Kurtin ka diskutuar edhe për nevojën që secili ta mbajë qetësinë në kohë tensionesh dhe të vazhdohet dialogu.

    “Diskutuam për nevojën që çdonjëri të jetë i qetë, për nevojën që të vazhdohet dialogu, për nevojën që të fokusohemi te dialogu i lehtësuar nga BE”, ka deklaruar ai.

    Gjithashtu, Escobar ka thënë se Kurtit ia ka shprehur mbështetjen e tij që të lëvizë drejt propozimit franko-gjerman.

    Ndryshe, në një intervistë të dhënë për REL, Escobar ka deklaruar se “gjëja më e rëndësishme që SHBA-ja do, është të shohë krijimin e Asociacionit të komunave serbe”.

    Ai tha se është një detyrim ndërkombëtar nga i cili një parti ose politikan i vetëm nuk mund të largohet dhe se kontributi i ShBA-së në proces do të jetë i ndërlidhur me formimin e këtij Asociacioni.

    “Tani, një politikan i vetëm në një parti të vetme politike nuk mund të largohet nga ky detyrim. Pra, ne do të punojmë për Asociacionin. Ky do të jetë kontributi ynë në procesin e dialogut”, tha Escobar.

    “Unë i kam thënë komunitetit [serb] se jam i hapur t’i dëgjoj shqetësimet e tyre. Ata kanë disa shqetësime legjitime. Ne, po ashtu, po kërkojmë mënyra për ta ndihmuar këtë qeveri që të forcojë pozicionin e saj në shumë gjëra”.

    “Por, gjëja më e rëndësishme që SHBA-ja do, është të shohë krijimin e Asociacionit të komunave serbe. Unë u kam thënë njerëzve se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë këtë qeveri që ta zbatojë këtë. Nga pozicioni ynë, është një detyrim ndërkombëtar, ligjërisht i obligueshëm”, tha ai.

    Escobar për Asociacionin: Është detyrim ndërkombëtar nga i cili një politikan dhe parti e vetme nuk mund të largohet

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!