×
  • Lajme
  • Lajme

    Fjalët e fundit të 61 vjeçarit para se ta vriste veten: Nanën e gruan t’i rahatova…

    Reporteri
    22 Prill 2019 | 19:16

    Ka disa vite që në familjen Krasniqi kishin filluar problemet, e burim i tyre ishte vetë kryefamiljari, Hasan Krasniqi, 61-vjeçar.

    Ish-arsimtari për gati 10 vite, siç deklarojnë familjarët e ata që e kishin njohur nga afër i kishte bërë presion gruas së tij, Hysnijes (të cilën kishte tentuar edhe ta vriste) e katër fëmijëve të tij.

    Për një kohë, madje familja kishin qëndruar larg tij, përderisa lajmërimet që disa herë kishin bërë në polici nuk kishin ndikuar që i njëjti të ndryshonte apo të përmirësonte sjelljen.

    Ishin bërë katër vite që gruaja e tij, Hysnija, as nuk po fliste me të, teksa po mendonte edhe ndarjen, por, kjo nuk shihej as si opsion për Krasniqin. 60-vjeçaren përveç se e kishte rrahur disa herë, kishte tentuar ta vriste duke e lënë me lëndime trupore.

    Pas tentim vrasjes, Hysnije Krasniqi, së bashku me djalin e saj Kreshnikun e gruan e tij, që mbeti e vdekur sot, Remzijen, ishin larguar nga shtëpia, e aty do të ktheheshin pas gjashtë muajve, kur 61-vjeçari do t’ju premtonte se kishte ndryshuar, e nuk do t’i shqetësonte më.

    Asgjë çka kishte premtuar Hasan Krasniqi nuk ndodhi. Problemet në familjen e tij kishin vazhduar deri sot, kur i njëjti me armën që nuk kishte shumë kohë që e kishte blerë do ta vriste së pari gruan e tij, pastaj nusen e djalit (Remzijen) e më vonë edhe veten.

    Çka ndodhi sot?

    Sot para orës 12:00, Hysnije Krasniqi, së bashku me Remzijën (gruan e Kreshnikut) e vajzën e tyre dy vjeçare, kishin shkuar për të pirë kafe në lokalin ku punonte Kreshnik Krasniqi.

    Aty do të qëndronin afërsisht 40 minuta, e pas kësaj do të vazhdonin për në banesën e tyre që ndodhet në lagjen “Dardania” saktësisht, afër bustit të Bill Clintonit.

    Në banesë do të priteshin nga Hasan Krasniqi, që sipas dyshimeve të para, pas kthimit të tyre kishte pasur një konflikt me gruan e tij që do të përfundonte me vrasje të trefishtë.

    Por, para se të kryente vrasjen, 61-vjeçari kishte marrë vajzën e djalit e kishte dërguar te fqinjët. Menjëherë, pasi u kthye, cak e pati gruan e tij, teksa, e vdekur mbeti edhe reja.

    Duke folur për Gazetën Express, pronari i lokalit ku punon Kreshniku, ka bërë të ditur se kishte parë familjarët e tij e kishte biseduar me ta pak para se të ndodhte vrasja.

    I njëjti ka shpjeguar edhe se si Kreshniku e kishte marrë vesh se i kishin vdekur gruaja edhe nëna. Kjo do të ndodhte pasi që Kreshnik Krasniqi do të merrte një telefonatë nga babai i tij që nuk do të fliste shumë fjalë.

    “Nanën e grunë t’i rahatova, tash pe rahatoj edhe veten”, i tha 61-vjecari, djalit të tij, e pak sekonda më vonë ia mori vetes jetën.

    “Burri i të ndjerës punon te unë edhe i kam kojshi, edhe nusja edhe nana kenë në lokal gjysmë ore para se me ardh. E ka thirre djalin e vet, hajde se nanën e grunë ti rahatova tash po e rahatoj edhe veten, djali si e ka dëgju ka vrapu menjëherë me djalin tim për në ndërtesë”, thotë ai.

    Tutje, ai shton se 61-vjeçari kishte vite që kishte qenë i sëmurë, teksa familjarët shumë herë kishin lajmëruar policinë për rrezikun që ju kanosej.

    “Ka qenë i sëmurë. Një vjet e gjysmë kanë dal prej banesës krejt me nanën e me nuse, ai ka jetu vetë, mas një kohe i ka thirrë i ka lut, hajdeni se skemi me pas problem ma shumë”, shton ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!