Një zjarr ka përfshirë pjesërisht një fabrikë në Gjakovë, ndërsa intervenimi i shpejtë i Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit ka bërë që flakët të lokalizohen dhe të shuhen pa pasoja në njerëz.
Sipas njoftimit të zjarrfikësve të Gjakovës, ekipet kanë reaguar menjëherë pas marrjes së informatës për zjarrin.
“Sot, njësitë e Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Gjakovë kanë intervenuar në një zjarr që ka përfshirë pjesërisht fabrikën Daija Metal”, thuhet në njoftim.
Nga intervenimi i ekipeve të zjarrfikësve është parandaluar përhapja e mëtejshme e zjarrit dhe dëmet më të mëdha materiale.
“Falë reagimit të shpejtë dhe angazhimit të ekipeve tona, zjarri është lokalizuar dhe është shuar në kohë, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve dhe dëme edhe më të mëdha materiale”, kanë bërë të ditur zjarrfikësit.
Sipas tyre, nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar.
“Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, shkaqet që çuan deri te shpërthimi i zjarrit mbeten për t’u përcaktuar nga organet kompetente.