Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore kanë njoftuar për një tjetër gjetje në kuadër të gërmimeve dhe ekshumimeve që po zhvillohen në lokacionet e dyshuara në Zubin Potok.

Sipas njoftimit të përbashkët, gjatë veprimeve të së mërkurës, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë gjetur mbetje kockore, të cilat, bazuar në vlerësimin preliminar, dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve.

Institucionet kanë bërë të ditur se identifikimi i plotë i mbetjeve do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.

Reklamë

“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojnë veprimet hetimore dhe procedurale që lidhen me këtë rast”, thuhet në komunikatë.

Në lidhje me rastin, aktualisht po hetohen tre persona, J.R., M.J. dhe M.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Të tre ndodhen në paraburgim.

PSRK-ja, Policia e Kosovës dhe IML-ja kanë thënë se janë të përkushtuara që procesi të zhvillohet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të dokumentuar, duke respektuar dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur.

Institucionet kanë theksuar se çdo zhvillim i ri lidhur me rastin do të bëhet publik në përputhje me kërkesat ligjore dhe interesin e hetimit.

Reklamë