Komuna e Gjakovës po kërkon mbi 14 milionë euro kompensim nga Qeveria e Kosovës për dëmin që pretendon se i është shkaktuar nga zbatimi i kontratave kolektive në arsim, të lidhura në vitet 2017 dhe 2021. Në seancën e parë përgatitore në Gjykatën Komerciale, përfaqësuesja ligjore e komunës kërkoi caktimin e një eksperti financiar për të përcaktuar shpenzimet, ndërsa gjyqtari paralajmëroi se fillimisht do ta rivlerësojë kompetencën e gjykatës për trajtimin e rastit.
Seanca nisi me rreth 30 minuta vonesë, pasi salla ku ishte planifikuar të mbahej ishte e vogël dhe u desh të ndërrohej gjykatorja. Ajo u zhvillua pa praninë e palës së paditur.
Në fillim të seancës, përfaqësuesja ligjore e Komunës së Gjakovës, Vjollca Shyti, kritikoi palën e paditur, duke thënë se përgjigjet në padi janë të përgjithshme dhe nuk dëshmojnë gatishmëri për bashkëpunim.
Sipas Shytit, kontesti lidhet me detyrimet që rrjedhin nga kontratat kolektive të nënshkruara më 18 prill 2017 dhe më 22 janar 2021, përmes të cilave, sipas komunës, janë bartur obligime financiare te pushteti lokal pa u siguruar financimi i nevojshëm.
“Konsideroj që këto kontrata i kanë shkaktuar dëm të pariparueshëm Komunës së Gjakovës, mbi 14 milionë euro. Për këto arsye jemi detyruar t’i drejtohemi Gjykatës me padi, që t’i shqyrtojë provat dhe gjendjen faktike për dëmin e shkaktuar”, deklaroi Shyti.
Në kërkesëpadinë fillestare, Komuna e Gjakovës e kishte përcaktuar vlerën e kontestit në 12 milionë e 511 mijë e 104 euro e 60 centë. Kjo shumë, sipas padisë, ishte mbështetur në raportet e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa dhe në pagesat e realizuara përmes përmbaruesve. Ndërkaq, aktualisht komuna kërkon kompensim prej mbi 14 milionë eurosh.
Kërkohet ekspertizë financiare
Përfaqësuesja e komunës i propozoi gjykatës caktimin e një eksperti financiar, i cili do të analizonte veç e veç shpenzimet që, sipas paditëses, kanë rrjedhur nga zbatimi i kontratave kolektive.
“Propozojmë që të nxirret një ekspertizë financiare, e cila të vërtetojë veç e veç secilin shpenzim të kryer në dëm të komunës, të cilat kanë rrjedhur nga kontrata kolektive”, tha Shyti.
E pyetur nga gjyqtari për natyrën e kontestit, ajo u përgjigj se bëhet fjalë për çështje civile dhe se kompensimi i kërkuar përfshin periudhën nga lidhja e kontratës së vitit 2017 deri në vitin 2026.
“Konsideroj që është kontest civil. Kompensimi i dëmit përfshin prej lidhjes së kontratës 2017 deri në 2026. Ne vazhdojmë të dëmtohemi, sepse çështjet janë nëpër gjykata”, deklaroi ajo.
Megjithatë, gjyqtari Durim Osmani bëri të ditur se para se të vendosë për kërkesën për ekspertizë financiare, do ta shqyrtojë edhe një herë kompetencën e Gjykatës Komerciale për trajtimin e lëndës, përkatësisht nëse kontesti është i natyrës civile apo administrative.
Çfarë pretendon Komuna e Gjakovës?
Në padi, komuna argumenton se Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka lidhur kontrata kolektive me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), duke ua bartur komunave detyrimet financiare për zbatimin e tyre pa siguruar buxhet shtesë.
Kontratat kanë paraparë përfitime të ndryshme për punëtorët e arsimit, përfshirë shujtat ditore, pagat jubilare, pagën përcjellëse, kompensimin e udhëtimit dhe përfitime të tjera.
Sipas pretendimeve të komunës, mungesa e financimit nga niveli qendror ka rënduar buxhetin komunal. Ajo pretendon se përmbarimet kanë prekur edhe kategoritë buxhetore të destinuara për investime kapitale, mallra dhe shërbime, duke ndikuar në realizimin e projekteve komunale.
Komuna i referohet edhe nenit 124, paragrafit 3, të Kushtetutës së Kosovës dhe dispozitave të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, të cilat, sipas saj, përcaktojnë se kompetencat e deleguara duhet të shoqërohen me financimin e nevojshëm.
Përmes padisë, Komuna e Gjakovës kërkon që gjykata ta aprovojë kërkesëpadinë dhe ta detyrojë Qeverinë e Kosovës, përkatësisht MASHTI-n, ta kompensojë dëmin që do të përcaktohet përmes ekspertizës financiare, me kamatë ligjore prej tetë për qind, si dhe t’ia mbulojë shpenzimet gjyqësore.
Gjykata pritet fillimisht të vlerësojë nëse është kompetente për shqyrtimin e kësaj çështjeje, para se të vendosë për kërkesën për ekspertizë financiare.