×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjendja në PTK, drejtori i Telekomit i reagon Visar Ymerit

    Reporteri
    04 Prill 2019 | 17:10

    Janë bërë një javë (nga 28 marsi) që kur Visar Ymeri, Kryesues i Komisionit Hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala, thotë se i ka kërkuar menaxhmentit dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm për këtë hetim. Dhe ende nuk kanë marrë asgjë nga menaxhmenti.


    Në një konferencë për media, Ymeri tha se në përgjigjen e kthyer të nesërmen Bedri Istrefi, Kryeshef Ekzekutiv i Telekomit ka kërkuar afat shtesë (përtej datës 3 prill të caktuar nga vet Ymeri) për kompletimin e dokumentacionit.

    Kësaj kërkese i ishte përgjigjur Ymeri duke kërkuar dorëzimin e dokumentacionit të gatshëm dhe propozimin e një afati kur menaxhmenti mund ta dorëzojë pjesën tjetër të dokumentacionit.

    “Edhe pse kjo letër e dytë i është dorëzuar menaxhmentit të hënën, Komisioni ende nuk ka marrë përgjigje në këtë çështje, e asnjë prej dokumenteve të kërkuara”, tha Ymeri.

    Por ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Telekomi i Kosovës.

    Përmes një reagimi të gjatë të publikuar në Facebook nga drejtori i PTK-së, Bedri Istrefi thuhet se Visar Imeri, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Hetimor Parlamentar, është nxituar në deklarimin e tij mbi gjendjen në Telekomin e Kosovës.

    Më poshtë gjeni reagimin e publikuar në Facebook nga drejtori i PTK-së Bedri Istrefi

    Telekomi i Kosovës dëshiron që përmes këtij Reagimi Publik, të njoftojë opinionin publik se z. Visar Imeri, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Hetimor Parlamentar, është nxituar në deklarimin e tij mbi gjendjen në Telekomin e Kosovës.

    Kërkesa e z. Imerit në Telekomin e Kosovës është adresuar me 28 Mars 2019.

    Në këtë kërkesë të Komisionit Hetimor Parlamentar, e cila tashmë është bërë publike, është kërkuar që për një afat rekord të shkurtër (vetëm tri ditë), Telekomi i Kosovës të ofrojë dhe dorëzojë material (kopje) të:

    – dymbëdhjetë Kontratave

    – shpenzimet e Mediave për 20 vite

    – shpenzimet e Marketingut për 20 vite

    – shpenzimet e qirave (pa specifikuar çfarë qirash) për 20 vite

    – shpenzimet e reprezentacionit për Menaxhment, Kryeshefa dhe Bord për 20 vite

    – raportet e auditorëve të brendshëm dhe të jashtëm për 20 vite

    – raporte dhe lista të të punësuarve për 20 vite.

    I gjithë ky material voluminoz, është e pamundur që të sigurohet dhe të kompletohet për vetëm tri ditë, aq sa është kërkuar zyrtarisht nga ky komision paralamentar, kërkesë kjo e datës 29 Mars 2019.

    Kërkesa e këtij komisioni, ka qenë jospecifike, si p.sh. qiratë, ndërsa në raste të tjera shumë e përgjithësuar, si dhe në një rast janë kërkuar kontrata që Telekomi i Kosovës nuk ka dijeni që ekzistojnë.

    Telekomi i Kosovës i ka kërkuar një afat shtesë këtij Komisioni, në mënyrë që ta ketë kohën e mjaftueshme për ta kompletuar në tërësi tërë këtë dokumentacion.

    Telekomi i Kosovës, në të njëjtën shkresë e ka njoftuar këtë Komision se disa nga kontratat dhe materialet e kërkuara nga ana e Komisionit Parlamentar Hetimor, tashmë siç dihet edhe publikisht, janë subjekt i trajtimit nga ana e organeve ligjzbatuese, prandaj me këtë rast, mbetet të vlerësohet fakti se a mund të paraqesin dëmtim të procesit të hetimit dhe trajtimit të këtyre rasteve.

    Telekomi i Kosovës konsideron se deklaratat dhe fushatat në dëm të kësaj kompanie, e dëmtojnë në masë të madhe imazhin dhe afarizmin e korporatës sonë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!