Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar ashpër ndaj qasjes ekonomike të qeverisë, duke e cilësuar atë si “ultra të majtë” dhe të paqëndrueshme përballë kostos së lartë të jetesës.

Përmes një statusi në Facebook, ai ka propozuar një reformë të thellë ekonomike që parasheh uljen e TVSH-së për produktet bazë, ngritjen e pragut të TVSH-së për bizneset dhe lehtësimin e barrës financiare për familjet kosovare.

“Ndryshimi i politikave ekonomike nuk është më luks, është mbijetesë” është shprehur Gjini.

Reklamë

Ai ka vënë në dukje se realiteti ekonomik në vend kërkon një kthesë të menjëhershme, pasi qytetarët po përballen çdo ditë me çmime të larta, ndërkohë që produktet e shportës vazhdojnë të tatohen me normën standarde prej 18%.

Ai ka krahasuar praktikën e Kosovës me vendet e Bashkimit Evropian, të cilat aplikojnë norma të reduktuara ose zero për produktet ushqimore bazë.

“Malta aplikon normë 0% për kategori të caktuara ushqimore, Italia 4% për produkte bazë dhe norma të tjera të reduktuara, Spanja aplikon norma të reduktuara për produktet kryesore të shportës, Franca 5.5%, ndërsa Gjermania 7% për një pjesë të madhe të ushqimeve.”

Për të ilustruar peshën e kësaj takse në buxhetin familjar, Gjini ka marrë si shembull një familje me një buxhet mujor prej 800 eurosh. Sipas llogaritjeve të tij, nën normën aktuale prej 18%, një familje paguan rreth 122 euro në muaj vetëm për TVSH, ndërsa me një zbritje në 7%, kjo shifër do të ulej në 52 euro.

“Pra, një familje me ato të ardhura i kursen 70 euro në muaj, ose rreth 840 euro në vit. Për një familje me të ardhura të ulta, 840 euro në vit janë disafish më shumë se ‘ndihmat’ që i jep qeveria prej 100 euro dhe atë pasi e ka ‘mazitur’ buxhetin.”

Reklamë

Ai gjithashtu ka shtuar se kjo barrë rëndohet edhe më shumë nga akciza e lartë për mallra si karburantet, duhani, alkooli dhe kafja, të cilat shpesh kalojnë 20% të vlerës së mallit.

Duke e pozicionuar Aleancën kundër asaj që e quajti ekonomi të konsumit afatshkurtër, Gjini ka theksuar se filozofia e djathtë synon t’ia kthejë fuqinë financiare vetë qytetarëve.

“Aleanca refuzon ekonominë e konsumit afatshkurtër dhe barrën e lartë tatimore mbi qytetarin. Politika jonë e djathtë synon t’i lë paratë aty ku e kanë vendin, në xhepat e qytetarit në mënyrë që ata vetë të vendosin se si i shpenzojnë.”

Reforma e propozuar nga AAK përfshin:

Reklamë

Rritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro, për t’u dhënë frymëmarrje bizneseve dhe prodhuesve të vegjël.

Uljen e TVSH-së për sektorin e ushqimit, duke e përafruar me standardet evropiane.

Heqjen ose uljen në minimum të TVSH-së për produktet e higjienës për gratë dhe fëmijët.

Në përmbyllje të reagimit të tij, Gjini ka theksuar se statistikat makroekonomike humbasin kuptimin nëse qytetari nuk e vëren ndryshimin në jetën e përditshme: “Nuk mjafton të flasim për statistika makroekonomike nëse familja nuk e ndjen përmirësimin në portofolin e saj.”

Reklamë