Rreth 60 për qind e qytetarëve të Kosovës vlerësojnë se institucionet e drejtësisë ndikohen nga politika, ndërsa pothuajse gjysma e tyre konsiderojnë se korrupsioni dhe ryshfeti janë të pranishëm në këto institucione. Këto janë disa nga të gjeturat e edicionit të dhjetë të raportit RoLPIK, të prezantuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Raporti, i cili pasqyron perceptimin e qytetarëve për funksionimin, pavarësinë dhe besueshmërinë e sistemit të drejtësisë në Kosovë, u prezantua në një tryezë diskutimi me temën “Performanca institucionale dhe perceptimi qytetar për sistemin e drejtësisë”.

Menaxheri i projekteve në GLPS, Liridon Salihi, bëri të ditur se gjykatat dhe prokuroritë perceptohen si institucionet më të ndikuara nga politika.

Reklamë

Sipas të dhënave të raportit, gjykatat kryesojnë me 35.1 për qind, të pasuara nga prokuroritë me 34 për qind, ndërsa policia renditet e treta me 17.7 për qind.

“Çështja kryesore që trajton raporti është se sa e shohin qytetarët ndikimin e politikës në institucionet e drejtësisë. Pra, si e perceptojnë këtë qytetarët dhe çfarë tregojnë të dhënat që kemi publikuar dhe i kemi nxjerrë nga anketa me qytetarët. Rezulton se rreth 60 për qind e qytetarëve të Republikës së Kosovës vlerësojnë që institucionet e drejtësisë ndikohen nga politika”, deklaroi Salihi.

Shqetësues mbetet edhe perceptimi për korrupsionin dhe ryshfetin. Rreth 48 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se këto dukuri janë të pranishme në institucionet e drejtësisë, veçanërisht në gjykata dhe prokurori.

Në anën tjetër, policia vlerësohet më pozitivisht në raport me institucionet e tjera të drejtësisë, si për efektivitetin në luftimin e korrupsionit, ashtu edhe për kënaqshmërinë e qytetarëve me shërbimet e saj.

Raporti evidenton gjithashtu gatishmëri të qytetarëve për të bashkëpunuar me institucionet dhe për të raportuar veprat penale. Rreth 70 për qind e të anketuarve janë shprehur të gatshëm të raportojnë raste të korrupsionit apo vepra të tjera penale, ndërsa 87.4 për qind e tyre kanë zgjedhur Policinë e Kosovës si institucionin e parë ku do të drejtoheshin.

Reklamë

Një tjetër gjetje lidhet me mungesën e përmirësimit të dukshëm të sistemit të drejtësisë gjatë pesë viteve të fundit. Sipas Salihit, rreth 50 për qind e qytetarëve vlerësojnë se nuk ka pasur përmirësim, ndërsa rreth 36 për qind konsiderojnë se ka pasur ndryshime pozitive, kryesisht në transparencë dhe llogaridhënie.

Edhe sa i përket mënyrës së marrjes së vendimeve gjyqësore, raporti nxjerr në pah dyshimet e qytetarëve për ndikime të jashtme dhe të brendshme. Vetëm 43.9 për qind e të anketuarve besojnë se vendimet e gjykatave bazohen në prova dhe në kornizën ligjore, ndërsa rreth 50 për qind mendojnë se ato varen nga ndikime të ndryshme.

Sa i përket përvojës së drejtpërdrejtë me gjyqësorin, rreth pesë për qind e të anketuarve kanë deklaruar se janë palë në procedura gjyqësore. Ndërkaq, vetëm 23.3 për qind kanë pranuar shërbime nga gjykatat gjatë pesë viteve të fundit. Vlerësimi mesatar për këto shërbime ishte 3.5 në shkallën nga një deri në pesë.

Raporti ka trajtuar edhe perceptimin për sigurinë në vend. Në një periudhë të shoqëruar me raste të dhunës dhe vrasjeve, përfshirë vrasjet e grave, qytetarët kanë vlerësuar nivelin e sigurisë me mesatare 3.38, në shkallën nga aspak të sigurt deri te plotësisht të sigurt.

Reklamë

Sipas Salihit, qytetarët i vlerësojnë dënimet për rastet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore në nivel mesatar, çka sipas tij tregon nevojën për rishikimin e politikave ndëshkimore në këto raste.

Një pjesë e raportit i është kushtuar edhe Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë. Sipas prezantimit, besimi i qytetarëve në këtë mekanizëm vazhdon të mbetet sfidë, ndërsa nuk është evidentuar përmirësim i dukshëm në perceptimin për aftësinë e tij për të ofruar vendime të drejta dhe të pavarura.

Ndërkaq, drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Njomza Arifi, tha se perceptimi i qytetarëve për pavarësinë e sistemit të drejtësisë vazhdon të jetë jo i kënaqshëm. Ajo veçoi ndikimin politik, politikat e ulëta ndëshkimore dhe mitmarrjen si disa nga shqetësimet kryesore.

Arifi theksoi se gjysma e qytetarëve nuk kanë vërejtur përmirësim të dukshëm në funksionimin e sistemit të drejtësisë gjatë pesë viteve të fundit. Sipas saj, qytetarët preferojnë që reformat të përqendrohen në forcimin e institucioneve ekzistuese, në vend të krijimit të institucioneve të reja.

Reklamë

Pas prezantimit të raportit, aktiviteti pritet të vazhdojë me një panel diskutimi për sfidat e sistemit të drejtësisë, performancën institucionale dhe perceptimin e qytetarëve për pavarësinë dhe besueshmërinë e institucioneve.