Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka paralajmëruar se PDK-ja do ta kontestojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.
Në një deklarim për T7, Gruda ka bërë të ditur se kërkesa do të dorëzohet të martën, ndërsa paralajmëroi edhe një konferencë për media pranë Gjykatës Kushtetuese në orën 09:00.
“Nesër në mëngjes do të deponojmë kërkesën e re ku do të kontestojmë vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar Gruda, raporton T7.
Ai ka thënë se PDK-ja do të kontestojë edhe vendimet e tjera që mund të merren nga Kuvendi i formuar në këtë mënyrë.
“Nesër në orën 09:00 do të kemi një konferencë për media pranë Gjykatës Kushtetuese, do të kontestojmë vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së Albin Kurtit, dhe do të kontestojmë çdo vendim që del nga ky Kuvend i themeluar në këtë rrugë”, ka thënë Gruda.
Duke folur për tërheqjen e Bekim Sejdiut nga kandidatura për President, Gruda ka thënë se e respekton atë si intelektual, por ka hedhur kritika ndaj mënyrës se si është propozuar.
“Unë e njoh Bekim Sejdiun, por si është propozuar e kam ditur që është votuar për mos me u zgjedh”, ka deklaruar Gruda.
Sipas tij, kryeministri Kurti e ka propozuar Sejdiun duke e ditur se ai nuk do të merrte votën e deputetit të LDK-së, Avdullah Hotit.
“Si është e mundur që prej krejt intelektualëve, Kurti e gjen një person që pikërisht Avdullah Hotin e rrëzon nga pozita e kryeministrit”, ka thënë Gruda.