×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Komunikata

    Guxo reagon pas dorëheqjes së Haxhi Avdylit: Askush s’është përfshirë në linçime ndaj Presidentes

    Reporteri
    09 Mars 2026 | 15:30

    Partia Partia Guxo ka reaguar pas dorëheqjes së deputetit Haxhi Avdyli nga kjo parti, duke bërë të ditur se kryesia e saj e ka pranuar vendimin e tij.

    Në një komunikatë për media, Guxo ka theksuar se dorëheqjen e Avdylit e kanë kuptuar përmes mediave dhe rrjeteve sociale.

    “Nga media dhe nga rrjetet sociale kemi kuptuar se deputeti Haxhi Avdyli paska dhënë sot dorëheqje nga Partia Guxo. Kryesia e Partisë Guxo e pranon këtë dorëheqje dhe e sheh si të drejtën dhe zgjedhjen e tij të vullnetshme dhe të pakontestueshme,” thuhet në reagim.

    Partia gjithashtu e ka falënderuar Avdylin për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë gjatë kohës sa ka qenë pjesë e saj.

    “Në emër të anëtarësisë dhe përkrahësve, Partia Guxo e falënderon deputetin Avdyli për rrugëtimin e përbashkët deri më tani dhe për kontributin që ka dhënë për Partinë Guxo,” thuhet më tej në komunikatë.

    Deputeti Avdyli kishte njoftuar më herët se po jep dorëheqje nga Guxo për shkak të sulmeve dhe fushatës së urrejtjes ndaj Presidentes Vjosa Osmani.

    Megjithatë, në reagimin e saj, Partia Guxo thekson se nuk është përfshirë në debate të ulëta apo linçime publike ndaj askujt, e aq më pak ndaj Presidentes së Republikës.

    “Partia Guxo angazhohet për respektimin e rendit, ligjit dhe kushtetutshmërisë në të gjitha zhvillimet në vend, përfshirë edhe zhvillimet e fundit,” thuhet në komunikatë.

    Deputeti Haxhi Avdyli, njoftoi sot se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në partinë Guxo, duke e lidhur vendimin me atë që ai e quan fushatë linçimi dhe urrejtjeje ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

    Avdyli tha se sulmet ndaj Osmanit, përfshirë edhe thirrjet për dhunë dhe sulmet ndaj familjes së saj, janë të papranueshme dhe i përkasin një politike që do të duhej të ishte lënë pas.

    Haxhi Avdyli dorëhiqet nga Guxo pas sulmeve ndaj Vjosa Osmanit

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!