Lideri i PDK-së, Bedri Hamza, në një konferencë për media ka kërkuar nga deputetët e Vetëvendosjes, LDK-së dhe komuniteteve jo shumicë që t’i japin nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku do të votohej Ligji për Dhomat e Specializuara.
Hamza tha se nuk ka asnjë pengesë ligjore apo procedurale që ligji të miratohet në lexim të dytë.
“U bëjmë ftesë VV-së, LDK-së dhe komuniteteve jo shumicë që të na i japin nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme. Ne kërkojmë që ligji të aprovohet. S’ka arsye të mos aprovohet. S’ka pengesa ligjore as procedurale dhe nuk do të ketë pengesa politike, përveç nëse mungon vullneti politik nga subjektet tjera që ligji të mos aprovohet në lexim të dytë”, tha Hamza.
Ai theksoi se ky ligj, sipas tij, e tejkalon interesin e një partie politike dhe lidhet me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
“Është ligj që i kalon përmasat e PDK-së. Nuk është ligj për PDK-në, është ligj për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Është ligj që e kalon peshën dhe rëndësinë e një partie politike”, deklaroi ai.
Hamza tha se para procedimit të ligjit ka takuar liderët e partive politike dhe u ka kërkuar përkrahje, duke insistuar se PDK-ja nuk synon të pengojë drejtësinë, por të kërkojë drejtësi.
“Ne s’po duam ta pengojmë drejtësinë, po kërkojmë drejtësi. Ata janë të pafajshëm”, tha Hamza.
Kreu i PDK-së u bëri thirrje partive politike dhe kryetares së Kuvendit që të mblidhen dhe ta miratojnë Ligjin për Specialen.
Ai foli edhe për protestat e zhvilluara në Prishtinë, duke kërkuar nga Qeveria që të mos kontribuojë në tensionimin e situatës.
“Iu bëj lutje partive politike, kryetares së Kuvendit, të vijnë në Kuvend dhe ta aprovojmë ligjin për Specialen. Edhe qytetarët po e kërkojnë një gjë të tillë. Ngjarjet që kanë ndodhur, s’do të donte t’i shihte askush, nuk janë të nevojshme. I bëj ftesë Qeverisë që të mos kontribuojë në tensionimin e qytetarëve. Jo dhunë joproporcionale ndaj atyre që janë duke protestuar. Mbrëmë kemi parë skena të papranueshme”, u shpreh Hamza
