Kryetari i PDK’së, Bedri Hamza, ka thënë se kjo parti nuk ka kandidat për president, duke shtuar se ende nuk kanë arritur tek pika e propozimeve, shkruan Reporteri.net.

Hamza i cilësoi si spekulime raportimet se Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Pula, është e propozuara nga kjo parti.

“Nuk kemi kandidat, sepse s’kemi mbërri. Të gjitha janë spekulime. PDK nuk ka kandidat për President pa marrëveshje paraprake”, ka deklaruar Hamza para gazetarëve.

Reklamë

Ai tha se kërkesa e tyre ka qenë që paraprakisht të dakordohen që presidenti të zgjidhet i propozuari nga radhët e PDK’së.

“…një emër i dinjitetshëm, që s’do të thotë mrenda strukturës, mund të jetë edhe jashtë strukturave, që i ka atributet dhe kualitetet që duhet t’i ketë një president”, ka thënë Hamza.

Hamza tha se nuk ka marrë ftesë nga kryeministri Albin Kurti për t’u takuar.

“Jo, nuk kam ftesë”, deklaroi Hamza.

Aktualisht, PDK ka mbledhur Grupin Parlamentar për të diskutuar për këtë çështje.

Reklamë

Para dy ditësh, Hamza ka deklaruar se PDK nuk e përkrah Vjosa Osmanin edhe për një mandat.

Ndërkohë, ka thënë se po të propozohej ndonjë emër nga familja Jashari, do t’i kishte të 22 votat e PDK’së.

Ai tha se për një emër nga kjo familje kanë diskutuar edhe me Kryeministrin Albin Kurti, në takimet që kanë mbajtur lidhur me çështjen e presidentit./Reporteri.net