Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka pranuar ftesën e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për një takim të premten, ku pritet të diskutohet për formimin e institucioneve të reja. Hamza ka bërë të ditur se ka propozuar që takimi të mbahet në orën 09:00.
Pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Hamza ka deklaruar para mediave se partia e tij i jep përparësi adresimit të sfidave të vendit dhe përcaktimit të një vizioni të qartë për të ardhmen, para diskutimeve për ndarjen e posteve.
“Do të sillem në mënyrë të përgjegjshme dhe institucionale. Nuk jam kundër takimeve, por para se të flasim për pozita, është shumë e rëndësishme të diskutojmë për prioritetet, vizionin për të ardhmen, programin dhe mënyrën e adresimit të sfidave që ka Kosova. Nëse nuk ka dakordim për këto çështje, qëllimi i PDK-së nuk është të sigurojë një numër të caktuar ministrish, postin e kryetarit të Kuvendit, presidentin apo pozita të tjera”, ka thënë Hamza.