×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj dhe Veseli nuk flasin me njëri-tjetrin tash e sa javë

    Reporteri
    19 Prill 2019 | 20:09

    Ka muaj që kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli nuk komunikojnë me njëri tjetrin. Nga zyrat e të dy liderëve nuk dëshirojnë të përgjigjen kur pyeten për takimin e fundit të punës që ata e kanë pasur. Jozyrtarisht nga Qeveria i kanë thënë Gazetës  se ata nuk janë takuar prej ditës kur Haradinaj ishte dëgjuar te thotë “nuk kam pa ma qenef mashkull”.


    Premtimet e bëra nga partnerët e koalicionit qeverisës janë shumë larg nga realizimet, mirëpo një gjë e tillë nuk mjafton që Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj ta takojnë njëri-tjetrin. Nëse takimet nëpër përkujtime të ndryshme nuk llogaritën, atëherë Haradinaj dhe Veseli nuk janë ulur me njëri-tjetrin tash e disa muaj për punët e shtetit.

    Burime e Gazetës Express brenda Qeverisë tregojnë që meqë Veseli e Haradinaj nuk flasin me njëri-tjetrin, ata komunikojnë me njëri tjetrin përmes ministrave.

    Në Zyrën e Kryeministrit dhe në Kabinetin e Kryeparlamentarit nuk dëshirojnë të tregojnë se kur ka qenë takimi i fundit i punës mes Haradinajt e Veselit.

    Ndërprerja e komunikimit, siç mëson Gazeta Express, ka ndodhur në kohën kur këta të dy përplaseshin për taksën. Madje mospajtimet mes liderëve shtetërorë u ngritën në një tjetër nivel kur Kryeministri Haradinaj u kap nga mediat duke thënë për dikë “ma qenef mashkull nuk kam pa kurrë”.

    Kjo kishte ndodhur pas seancës solemne të Pavarësisë, menjëherë pasi e kishte përfunduar fjalimin e tij z. Veselit, që të vetmen fushë të qitjes në fjalimin e tij e kishte Haradinajn.

    Në atë fjalim, kryeparlamentari Veseli, në prezencë të mysafirëve specialë të Pavarësisë, solemnitetin e kishte kthyer në kritikë ndaj partnerit të tij, Haradinajn dhe këmbënguljen e tij për të mos e hequr taksën.

    Veseli deklaroi se nuk e lë askënd t’i prishë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që atë kohë po kërkonin çdo ditë që të hiqej taksa.

    Dy liderët kanë acaruar raportet mes vete për shkak të taksës ndaj produkteve serbe, të cilën e kishin së bashku. Secili jepte qëndrimi ndryshe në konferencat për media e në deklarime të tjera publike.

    Veseli kërkonte që vendimi i qeverisë për sanksionimin e produkteve serbe dhe boshnjake të pezullohej. Këtë nuk e mori asnjëherë parasysh shefi i ekzekutivit.

    Përveç historisë “me qenefin” një version tjetër, gjithashtu që lidhet me hidhërimin, lidhet me një prishje të marrëveshjes, që Veseli pretendon që Haradinaj e kishte shkelur.

    “Veseli thotë që ishte marrë vesh me Haradinajn që ta pezullojnë taksën, por ishte befasuar kur pas konferencës së tij për shtyp, Haradinaj kishte dalë dhe kishte thënë që nuk do ta pezullonte taksën”, ka treguar një burim i afërt me dy liderët.

    Sa i përket taksës, sa më shumë që rritej presioni nga brenda dhe jashtë, aq më shumë Haradinaj rriste kushtet për të cilat do të hiqte taksën 100 për qind.

    Veseli, i cili fillimisht e kishte sfiduar Haradinajn me fjalët “veç a është i zoti të qëndroj se unë nuk lëkundëm” u dorëzua shpejt, në emër të ruajtjes së raporteve me SHBA’në. Kreu i PDK’së që kur u vendos taksa thoshte se ai e ka shtyrë Haradinajn të merrte një vendim të tillë, më vonë kërkoi që e njëjta të pezullohet.

    “Është mjaft ironike, tash Presidenti Thaci po bisedon edhe me Veselin edhe me Haradinajn, kurse këta të dy nuk flasin me njëri tjetrin. Më herët këta të dytë kishin raporte të mira me njëri tjetrin, por të ftohta me Thacin”, thotë një burim i Gazetës Express, duke shtuar që tashmë është shuar çdo shpresë që këta të dy në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që mbahen ato të futën bashkërisht.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!