×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj e quan Kurtin mashtrues: Sa e pafytyrë pafajësia energjetike e tij

    Reporteri
    27 Dhjetor 2021 | 17:11

    “Sa e paftyrë pafajësia energjetike e Albin Kurtit!”. Kështu është shprehur kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi në Facebook, shkruan Reporteri.net.

    “Si me pas ardh prej Marsit këtë vit dhe me gjetë këtë gjendje të rëndë energjetike. Qe 11 vjet Lëvizja Vetëvendosje është parti parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe qe 17 vjet në mënyrë aktive funksionon si organizatë politike”, shkroi Haradinaj.

    Sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për shkak të krizës energjike zgjidhja ka qenë ndërmjet reduktimit të rrymës apo shtrenjtimit të saj.

    Sipas tij, çmimet e importit janë shtatëfishuar dhe një megavat energji më 21 dhjetor, sipas Kurtit, kushtoi 515 euro.

    Megjithatë, Kurti tha situata me energjinë është stabilizuar.

    Haradinaj thotë se gjatë gjithë ekzistencës politike të Kurtit dhe të organizatës së tij kurrë nuk kanë ndaluar të fyejnë, shajnë e demonizojnë çdo projekt energjetik që ka ekzistu në Kosovë.

    “Këta e demonizuan Kosovën C, që në vitin 2008 do të duhej të fillonte të ndërtohej, e që Kosovës do t’i siguronte 2200 megavat energji. Këta e demonizuan dhe e bënë të qartë se nuk e përkrahin as Kosovën e Re që vitin e ardhshëm do t’i ipte Kosovës 500 megavat energji. Në cilësinë e mashtruesit shitet si i vetmi person që ka qenë kundër shitjes së distribucionit, e harron se shumica e partive politike kanë qenë poashtu kundër”, shkroi Haradinaj.

    Ai thotë se distribucioni i Kosovës u shit nga partia më e madhe e kohës e asistuar nga njerëz që sot gjejnë strehë në Lëvizjen Vetëvendosje dhe na shesin moral për interesat nacionale.

    “Kosova është vendi i vetëm në botë që ka resurse energjetike por ka dhe krizë energjetike. Qasja e Albin Kurtit si protagonist global i mjerë, në tendencë në luftën kundër korporatave dhe globalizimit, e ka vulën e vet në krizën energjetike të Kosovës. Kanë qenë korporatat ato që do ta shndërronin Kosovën në fuqi energjetike por fatkeqësisht këto nuk janë në përputhje me ideologjinë e Kurtit”, përfundoi Haradinaj.


    Ndërkaq sot kreu i ekzekutivit tha se po mundohen që të riparojnë problemet në bllokun B2, pasi sipas Kurtit, as gjysma e konsumit nuk mund të mbulohet nga prodhimi i energjisë elektrike në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.

    “Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjell në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro”, tha Kurti.

    Reduktimet e rrymës shqetësojnë qytetarët, pushteti ende pa zgjidhje adekuate

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!