×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Reduktimet e rrymës shqetësojnë qytetarët, pushteti ende pa zgjidhje adekuate

    Reporteri
    27 Dhjetor 2021 | 17:05
    Foto: REL

    Zhvillime të ndryshme që prekin problemin me të cilin po përballemi, reduktimet me rrymë, pati edhe sot në Kosovë, ditë e hënë, shkruan Reporteri.net.

    Qytetarët protestojnë

    “Duam rrymë e jo arsyetime”, “Asnjë cent më shumë”, “Lëshoje rrymën, largoje KEDS-in”, ishin disa prej sloganeve të një grupi qytetarësh që protestuan më 27 dhjetor në Prishtinë, duke kërkuar që të mos ketë reduktime të energjisë elektrike.

    Disa protestues u mblodhën pranë ndërtesës së Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe më pas protestuan edhe para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

    Protestuesit kundërshtuan edhe shitjen e KEDS-it më 2012, që ishte shitur për 26.3 milionë euro. Sipas protestuesve, shpenzimet e blerjes së këtij distribucioni, kjo kompani i ka fituar për një vit e gjysmë.

    “Për tetë vjet, i kanë deklaruar 140 milionë euro fitime”, tha Dibran Hoxha, njëri nga organizatorët e protestës.

    Protestuesit kërkuan që Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, të rregullojë problemin me energji elektrike dhe të bëhet me protestuesit, e jo siç thanë “me korporatat”.

    “Lëshoje rrymën, largoje KEDS-in”, “Asnjë cent më shumë”, qytetarët kërkojnë shkarkimin e ministres Rizvanolli

    Kurti: Reduktimet e energjisë elektrike pothuajse janë hequr

    Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se për shkak të krizës energjike zgjidhja ka qenë ndërmjet reduktimit të rrymës apo shtrenjtimit të saj.

    Sipas tij, çmimet e importit janë shtatëfishuar dhe një megavat energji më 21 dhjetor, sipas Kurtit, kushtoi 515 euro.

    Megjithatë, Kurti tha situata me energjinë është stabilizuar.

    “Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr”, shkroi Kurti në një postim në Facebook.

    Kreu i ekzekutivit tha se po mundohen që të riparojnë problemet në bllokun B2, pasi sipas Kurtit, as gjysma e konsumit nuk mund të mbulohet nga prodhimi i energjisë elektrike në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.

    “Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjell në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro”, tha Kurti.

    Kurti akuzon qeverisjet e kaluara se sollën Kosovën në ditët pa rrymë – “Ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim”

    Qeveria shpall 60 ditë gjendje emergjente për furnizim me energji

    Për shkak të krizës me energjinë elektrike, Qeveria e Kosovës më 24 dhjetor vendosi masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.

    Qeveria mund të fillojë me zbatimin e masave menjëherë, por se vendimi duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi i Kosovës në afat prej shtatë ditësh.

    Kuvendi ka të drejtën e refuzimit të masave dhe në këtë rast Qeveria është e obliguar t’i ndërpresë ato.

    Masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

    Qeveria shpall masa emergjente për kufizim të furnizimit me energji

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!