×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj i reagon Mustafës: S’po mundesh me i kapërdi rezultatet e punës sonë

    Reporteri
    04 Prill 2019 | 13:53

    Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa i cili kishte thënë se sipas raportit të Bankës Botërore, në Kosovë gjatë qeverisjes së Haradinajt është rritur papunësia si dhe janë zvogëluar investimet e jashtme.


    Haradinaj  i është kundërpërgjigjur kësaj deklarate duke thënë se ata që po veprojnë kështu s’po arrijnë t’i kapërdijnë rezultatet e punës së tij, shkruan Reporteri.net.

    Reagimi i plotë i Haradinajt:

    Që nga fillimi i qeverisjes kemi qenë të hapur dhe transparent në çdo përballje publike për zhvillimet në vend dhe kemi ofruar informata e të dhëna të sakta edhe për trendin e rritjes ekonomike edhe të uljes së shkallës së papunësisë. Në këtë frymë, në asnjë rrethanë, nuk mund dhe nuk do të lejojmë që të manipulohen qytetarët dhe të krijohet opinioni publik me të pavërteta, qofshin ato mediale apo politike.

    Një tendencë të tillë e hasim edhe me lajmin për kinse humbjen e 17 mijë vendeve të punës gjatë vitit 2018. Ky lajm mbetet i manipuluar dhe qëllimisht i shtrembëruar dhe deklarimet e një pjese të akterëve të politikës në mbështetje të një “lajmi të rremë” janë të papranueshme dhe denigruese për vendin.

    Dëshmia më e mirë në kundërshtim të njoftimeve dhe vlerësimeve për humbjen e vendeve të punës është edhe vetë demanti i këtij lajmi nga Banka Botërore e cila e pranon edhe uljen e shkallës së papunësisë edhe rritjen ekonomike të Kosovës, më të madhen në gjithë rajonin tonë.

    Sipas të dhënave zyrtare ka një rënie të shkallës (vjetore) së papunësisë prej rreth 1 për qind. Ky është numri i të papunësuarve si përqindje e fuqisë punëtore aktive totale. Në të njëjtën kohë, ka pasur një rënie të numrit të njerëzve që kanë marrë pjesë në tregun e punës. Bazuar në të dhënat zyrtare, krijimi i vendeve të punës neto në periudhën Korrik-Dhjetor 2018 ende nuk kishte kompensuar plotësisht humbjet e vendeve të punës neto në dy çereket e parë të vitit. Kjo ka çuar në një rënie të vlerësuar të shkallës së punësimit (që është numri i të punësuarve si përqindje e popullsisë në moshë pune) prej 1 për qind në çerekun e katërt të vitit 2018 në krahasim me çerekun e njëjtë në 2017, një diferencë prej 7900 vende të punës, sipas anketës së fuqisë punëtore.

    Krahas këtij sqarimi, po ashtu është një fakt i pamohueshëm se Kosova ka shënuar rritjen më të madhe ekonomike në rajon dhe me reformat e ndërmarra ligjore, lehtësirat fiskale dhe investimet e huaja direkte, ky trend pozitiv, në vitet e ardhshme parashihet të rritet akoma më shumë.

    Nisur nga këto fakte, përgjegjësia për manipulim të opinionit publik me statistika krejtësisht të pavërteta bie mbi të gjithë ata që në mënyrë manipulative i shfrytëzojnë të dhënat, madje edhe duke i shtrembëruar ato, për arritjen e efekteve ç’orientuese dhe mosbesuese ndaj të vertëtës, punës dhe rezultateve të Qeverisë, të cilat shumë akterë, sikur se po shihet, nuk po munden t’i kapërdijnë.

    RH

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!