×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeqeveritari i shkruan NATO-s: Përherë mirënjohës, duam të anëtarësohemi

    Reporteri
    04 Prill 2019 | 10:57

    Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i është drejtuar me letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në shënimin e 70 vjetorit të nënshkrimit të Traktatit të NATO-s.

    Haradinaj përmes letrës ka potencuar se populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës për intervenimin në një përiudhë kur po përballej me fushatë gjenocidale të vrasjeve dhe terrorit, shkruan Reporteri.net.

    “Në shënim të 70-vjetorit të nënshkrimit të Traktatit të NATO-s, në emër të popullit dhe Qeverisë së Kosovës, i kam dërguar telegram Sekretarit të Përgjithshëm të Paktit Veriatlantik, Jens Stoltenberg, me urimet më të mira. Njëzet vjet më parë, NATO mbrojti të drejtat e popullit të Kosovës përballë një fushate gjenocidale të vrasjes dhe terrorit. Populli i Kosovës përherë do t’i jetë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s”, ka shkruar Haradinaj.

    Ndërkaq, ai ka ritheksuar se tani pas dy dekadave të lirë, populli kosovar është natyrshëm me orientim euro-atlantik, duke shtuar se ka synime për anëtarësim në NATO.

    “Tani, pas dy dekadave, si popull i lirë me orientim të natyrshëm dhe të palëkundur euro-atlantik, ne synojmë që të jemi pjesë e aleancës së shteteve të NATO-s dhe të japim kontributin tonë të plotë në mbrojtjen e vlerave dhe parimeve të sigurisë, lirisë dhe demokracisë”, ka shtuar Haradinaj.

    Ndryshe, muaj më parë kur Kosova formoi ushtrinë pati një përballje të shefit të Qeverisë me sekretarin e NATO-s, pasi ky i fundit nuk ishte i pajtimit që ky shndërrim të ndodhte me ligj të veçantë por kërkonte që kjo të bëhej duke u ndryshuar kushtetuta./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!