Autor: Blendi Gashi


Qeveria “Haradininaj” fare nuk po mërzitet nga kritikat për numrin e madh të zv.ministrave e këshilltarëve. Këtë e dëshmon emërimi i zv. Ministrit të Forcës së Sigurisë Burim Ramadani në pozitën e koordinatorit Nacional për Integrime dhe Anëtarësim në NATO, që në përgjithësi shkon në pesë numri i koordinatorëve, shkruan Reporteri.net.


Emërimet e koordinatorëve nisën më 16 mars të vitit 2018 kur Besnik Tahiri u emërua koordinator nacional për Reforma Shtetërore dhe më pas vazhduan më 29 maj të 2018 kur zëvendësministri i Mjedisit, Mendim Ibrahim Rugova u emërua koordinator për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit, ndërsa Rexhep Hoti koordinator për Kulturë, Rini e Sport dhe më pas Avdullah Hasani – koordinator Nacional për Gjeneratën e Re.

Reklamë

Koordinatori më i ri që u emërua sot Burim Ramadani ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook që është emëruar koordinator Nacional për Integrime dhe Anëtarësim në NATO.

Ai i shpreh falënderime kryeministrit Haradinaj për besimin e dhënë ku thotë, se anëtarësimi i Kosovës në NATO ka përkrahje unanime popullore.

“Përkushtimi i Kryeministrit Haradinaj dhe Qeverisë së Kosovës për anëtarësim në NATO është reflektim i përkushtimit të popullit të Kosovës. Sot, në vazhdën e angazhimeve institucionale, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të angazhohem në detyrën e Koordinatorit Nacional për Integrim dhe Anëtarësim në NATO. Shpreh mirënjohjen e plotë për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme nga Kryeministri Ramush Haradinaj, Ministri Rrustem Berisha, Qeveria e Kosovës, institucionet tjera dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka shkruar Ramadani në Facebok.

Paga mujore e një koordinatori do të jetë 1270 euro. Kështu për pesë koordinatorët aktualë nga buxheti i shtetit në muaj do të ndahen 6350 euro.

Reklamë

Kuptohet kjo pa llogaritur dy këshilltarë dhe një asistent që koordinatorët në ekipin e tyre kanë të drejtë të angazhojnë.

Për emërimin e koordinatorëve kryeministri Ramush Haradinaj ishte pyetur nga deputetët më 5 korrik 2018.

Haradinaj ka deklaruar se përgjegjësitë e koordinatorëve nuk ndërhyjnë në asnjë rast në punët e ministrive, duke thënë se ministrat kanë rol tjetër.

Ai atë kohë ishte përgjigjur vetëm për punën e Besnik Tahirit si Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore.

Reklamë

“Përgjigje është përgatitur kur pyetja është dërguar vetëm për këtë koordinator në një rrethanë tjetër mund të ju përgjigjem edhe për koordinatorët e tjerë…..ministritë e kanë punën e tyre dhe janë përgjegjëse për to, mirëpo koordinimi i ministrive, mes nivelit qendror e lokal por edhe me partnerët. Kjo nuk është mohim i punës së ndonjërës nga ministritë, është vetëm bashkërenditje e punëve të kryera”, kishte deklaruar Haradinaj.

Kryeministri kritikohet në vazhdimësi për emërimin e këtyre koordinatorëve, duke vënë në pah nevojën e vogël për ekzistimin e këtyre pozitave. /Reporteri.net/.