×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj “thumbon” Thaçin e Mogherinin: Është mirë që kaloi diskutimi për territore

    Reporteri
    23 Prill 2019 | 14:02

    Kryeministri Ramush Haradinaj edhe pas mbledhjes së sotme të Qeverisë është marrë me çështjen e korrigjimit të kufirit dhe me procesin e dialogut, për çka edhe është ftuar pas gjashtë ditës në Berlin.


    I pyetur se a do t’i bëjë të ditura sërish qëndrimet e njëjta, Haradinaj ka thënë se tashmë dihet për qëndrimin e tij dhe të Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    Siç ka thënë Haradinaj, tema e territoreve ka qenë gabim pasi thekson se ka mundur ta destabilizojë rajonin. Ai ka thumbuar në një formë presidentin Thaçi, që ka qenë inicues i kësaj ideje, duke thënë se është mirë që është tejkaluar ajo temë.

    “Diskutimi për territore ka qenë gabim, ka mundur ta destabilizojë rajonin. Është mirë që është tejkaluar ajo dhe nuk është mirë që të vazhdojmë ta mbajmë gjallë këtë temë”, ka thënë Haradinaj.

    Krejt këto, shefi i Qeverisë i tha duke folur për mospajtimet që kishte me zyrtaren e lartë të BE-së, Federica Mogherini, për mënyrën se si ajo e trajtoi dialogun Kosovë-Serbi.

    “Për ne nuk ka ndonjë vërejtje kush merr pjesë. Pra, ne nuk e caktojmë këtë. Sa i përket qëndrimeve të mia dhe të Kosovë, besoj i dini, nuk ka ndryshim. Ato kam pasur rast me ia thanë zonjës Mogherini edhe në të kaluarën edhe direkt, por edhe sa herë që është nevoja më duhet me mbrojt të drejtën e vendit”, ka shtuar kryeqeveritari.

    Ndër të tjera, Haradinaj e ka vlerësuar si të rëndësishme për Kosovën pjesëmarrjen në takimin e Berlinit që do të mbahet më 29 prill, e ku të pranishëm do të jenë kryeministra e presidentë të Serbisë, të ftuar nga kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!