Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se mospërfshirja e masave ndëshkuese për Kryesuesin Avni Dehari dhe afatin 30 ditor në vendimin e sotëm të Kushtetueses, është pasojë e ndikimit nga ana e Presidentes Vjosa Osmani.
Hasani beson se ka pasur mungesë guximi që Aktgjykimit t’i shkohet deri në fund edhe me pasojat, shkaku i deklarimit të fundit të Osmanit, e cila e tërheqi lëndën meqë gjyqtar raportues u caktua Radomir Laban, shkruan Reporteri.net.
“Shihet qartë se mund të ketë ndikuar në dispozitiv, në aspektin e moscaktimit të masave, kjo është ndërhyrje e saj në drejtësi dhe në një mënyrë ose tjetër e ka intimiduar gjykatën dhe gjykata nuk ka shkuar deri në fund të këtij aktgjykimi, sepse po shihet qartë që një gjyqtar është kundër”, ka deklaruar Hasani për Radio Evropa e Lirë.
Sipas tij, Kushtetuesja është dashur t’i përfshijë sanksionet nëse deputetët nuk e konstituojnë Kuvendin brenda afatit 30 ditor, duke e cilësuar këtë edhe si defekt.
“Mendoj se gjykata ka gabuar në këtë drejtim sepse është dashur t’i vë në dukje sanksionet, nëse deputetët nuk e konsitituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, siç është ndonjë decertifikim, humbje e mandatit, e kështu me radhë. Në këtë kuptim mendoj se janë dy defekte, që në aspektin e gjyqësisë dhe të drejtës kushtetuese janë pak të pajtueshme. Në pjesën e qartësisë, nëse ka vullnet të mirë, dispozitivi është jashtëzakonisht i qartë”.
Ai ka thënë se është e çuditshme se si mund të konstatohet shkelja kushtetuese e Deharit dhe i njëjti të urdhërohet të vazhdojë aty ku e ka shkelur Kushtetutën.
“Kjo nuk mund të arsyetohet me standardet e gjyqësisë kushtetuese. Dhe e dyta, ju e dini, edhe në aktgjykimin e vitit 2014, edhe në atë të para një muaji të Gjykatës Kushtetuese, është thënë se deputetët duhet të rrinë dhe të votojnë, por tani gjykata i urdhëron. Edhe kjo bie ndesh me postulatin e mandatit të lirë dhe besoj se kjo është vështirë e pajtueshme me standardet kushtetuese”, thotë Hasani./Reporteri.net