×
  • Lajme
  • Lajme

    Haxhiu: Marrëveshja me Danimarkën për burgjet mund të zgjatet edhe për 5 vite tjera

    Reporteri
    22 Dhjetor 2021 | 18:00

    Danimarka së shpejti do të marrë me qira qeli burgu në Kosovë për 300 të burgosur, që pritet të dëbohen nga shteti në fund të dënimit të tyre.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net, tha se Kosova do të përfitojë 210 milionë euro nga kjo marrëveshje.

    E sipas saj, paratë që do të fitohen prej Danimarkës, do të dedikohen edhe për investime kapitale e energji të ripërtëritshme.

    Marrëveshja parashihet të gjejë zbatim të plotë në periudhë dhjetë vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një periudhë tjetër 5 vjeçare.

    “Ministria e Drejtësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ofruar gatishmërinë e saj që të japë në dispozicion të Mbretërisë së Danimarkës kapacitete të burgut në Kosovë për 300 vende për të burgosurit nga Danimarka për të cilën gjë Ministria e Drejtësisë e Mbretërisë së Danimarkës është pajtuar që të paguajë një tarifë vjetore prej 15,000,000 € në vit për një periudhë fillestare pesë vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një periudhë tjetër pesë vjeçare”, tha Haxhiu për Reporteri.net.

    Ministrja Haxhiu në intervistën me Gazetën Online Reporteri.net theksoi se “Republika e Kosovës nga kjo marrëveshje përfiton 210 milionë euro, nga të cilat një pjesë e konsiderueshme do të dedikohen për investime kapitale, gjegjësisht për energji të ripërtëritshme, po ashtu do të fitojë përvojën daneze në menaxhimin e burgjeve, trajnime për stafin e Shërbimit Korrektues”.

    Projekti, i cili synon të lehtësojë mbipopullimin e burgjeve, synon gjithashtu rritjen e kapacitetit të burgjeve të Danimarkës me 326 vende midis viteve 2022 dhe 2025, tha në një deklaratë Ministria daneze e Drejtësisë.

    Në vitin 2020, rreth 350 të burgosur pritej të dëboheshin nga shteti në fund të dënimit të tyre. /Reporteri.net/.

    Ministrja Haxhiu: Rekomandimi i votuar nga Qeveria për Vetting-un, është ai me ndryshime kushtetuese

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!