×
  • Lajme
  • Lajme / Ekonomi

    Hoti kritikon Pecin: Bujqësia dështim total, nuk po zhvillohet

    Reporteri
    14 Tetor 2024 | 9:36

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Ministrinë e Bujqësisë që udhëhiqet nga Faton Peci, duke e quajtur dështim total, shkruan Reporteri.net.

    Ai përmes një postimi në Facebook ka shtruar pyetje se pse ka rënie në sipërfaqet e mbjella dhe përse ka rënë numri i kafshëve, shpezëve e bletëve?

    Hoti ka thënë se e vërteta është se bujqësia nuk po zhvillohet.

    “Nuk ka investime në rritjen e tokave bujqësore nën ujitje. Nuk ka kreditim me kushte të volitshme për investime bujqësore. Nuk ka investime në teknologjinë e ruajtjes dhe përpunimit të ushqimeve”, ka shkruar Hoti.

    Postimi i tij i plotë:

    Bujqësia 2021-2024: Dështim total

    Dështimet në bujqësi në tri tabela:

    – TABELA 1: Gjatë mandatit 2021-2024, janë shpenzuar 252.7 mil euro në subvencione bujqësore (për 2024 janë në shpenzim e sipër).

    – TABELA 2:

    Në 2023, krahasuar me 2020, numri i kafshëve, shpezëve dhe bletëve, si dhe i sipërfaqeve të kultivuara ka rënë, me përjashtim të numrit të shpezëve dhe sipërfaqeve me pemishte.

    – TABELA 3:

    – Në 2023, krahasuar me 2019, importet e mallrave kryesore ushqimore janë rritur për 72% (apo për 455 mil euro): për kafshë të gjalla 339%, për mish 43%, bylmet e vezë 61%, perime 78%, e kështu me radhë.

    Edhe pas eliminimit të efektit të inflacionit në vlerën e importeve, sërish rritja mbetet e madhe. (Bazë krahasuese është marrë viti 2019 pasi në vitin 2020 ka pasur kufizime në tregti shkaku i pandemisë.)

    Pyetjet legjitime janë këto:

    1. Përse ka rënie në sipërfaqet e mbjella?

    2. Përse ka rënë numri i kafshëve, shpezëve e bletëve?

    3. Çfarë po ndodh me prodhimin vendor – përse po importojmë më shumë ushqime kur kemi dukshëm më pak qytetarë rezidentë?

    4. Cili është ndikimi i 252.7 mil euro të shpenzuara në subvencione?

    E vërteta është se bujqësia nuk po zhvillohet. Nuk ka investime në rritjen e tokave bujqësore nën ujitje. Nuk ka kreditim me kushte të volitshme për investime bujqësore. Nuk ka investime në teknologjinë e ruajtjes dhe përpunimit të ushqimeve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!