×
  • Lajme
  • Lajme / Ambasadori amerikan

    Hovenier: ShBA ja përkrah dhe ka besim të plotë në Borrellin e Lajçakun si ndërmjetësues të BE-së në dialog

    Reporteri
    20 Shtator 2023 | 10:28
    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Fotografi nga arkivi.

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka përsëritur edhe sot se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe përmes normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.

    Hovenier  duke folur për procesin e dialogut tha se SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, si “zbatues objektivë të kësaj politike”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “SHBA dhe partnerët tanë  e shohin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si mënyrën e vetme për të avancuar dhe arritur integrimin evropian dhe për paqe dhe prosperitet të qëndrueshëm në rajon, siç tha përfaqësuesi i lartë i BE-së më 19 nëntor rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe përmes normalizimit të marrëdhënieve të tyre. SHBA-ja pajtohet plotësisht me atë deklaratë. Dështimi për të normalizuar marrëdhëniet është dhe mbetet pengesë për avancimin e këtij rajoni drejt institucioneve euroatlantike.

    Hovenier tha se dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka përkrahje të plotë nga SHBA-ja.

    “Po  e them tash siç do ta përsëris edhe sot më vonë, do të shihni përkrahje të plotë të SHBA-së për dialogun e lehtësuar nga BE-ja. SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike”, tha Hovenier.

    Ambasadori amerikan përsëriti se vizioni i SHBA-së për Kosovën mbetet integrimi i plotë i Kosovës në strukturat euro-atlantike.

    “Vizioni i SHBA-së për Kosovën mbetet integrimi i plotë i Kosovës në strukturat euro-atlantike. Ne duam të shohim Kosovën të zë vendin e duhur si vend i vogël nga Ballkani Perëndimor që është njohur nga komuniteti ndërkombëtar, për atë çka është, një vend i pavarur dhe sovran. Kjo është e pakontestueshme. Dhe më duhet ta them, ne duam ta shohim Kosovën në këto institucione, anëtar i plotë i BE-së, anëtar i plotë i i NATO-s”, u shpreh Hovenier  gjatë Edicionit të dytë të Samitit të Paqes dhe Demokracisë në Prishtinë.

    Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk u pajtuan javën e kaluar rreth hapave për zbatimin e marrëveshjes ndërsa zyrtarët evropianë thanë se ishte kryeministri Kurti ai që nuk e pranoi një propozim për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit.

    Kryeministri Kurti fajësoi të hënën të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak për dështimin e bisedimeve duke e akuzuar atë për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!