×
  • Lajme
  • Lajme

    Hovenier: Urgjentisht të nisin bisedimet për themelim të Asociacionit në përputhje me Kushtetutën, jo ‘Republika Srpska’

    Reporteri
    09 Nëntor 2022 | 18:58

    Bisedimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, sipas ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duhet të fillojnë urgjentisht. Asociacioni sipas tij duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. SHBA’të sipas tij, asnjëherë nuk e kanë mbështetur e as nuk do të mbështesin një aranzhim sikur ‘Republika Srpska’.

    Ambasadori Hovenier në një bisedë me disa gazetarë të ftuar në selinë e ambasadës së SHBA’së në Prishtinë, ku ka qenë i pranishëm edhe drejtori i gazetës online Reporteri.net, Bekim Kabashi, ka thënë se si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara në procesin e dialogut, por ajo që sipas tij është urgjente, është nisja e bisedave për themelim të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    “Ne besojmë që është e rëndësishme që edhe Qeveria e Kosovës edhe Qeveria e Serbisë të zbatojnë marrëveshjet që kanë nënshkruar në procesin e dialogut. Dhe kjo do të përfshinte, gjë që ne besojmë se tashmë është bërë edhe më urgjente, që me urgjencë të nisin bisedimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kjo është një kërkesë që ne ua kemi bërë”, ka thënë Hovenier.

    Jeffrey Hovenier: Kosova është në krizë, jam i shqetësuar për 21 nëntorin, me urgjencë të kemi një propozim për Asociacionin

    Ajo çfarë kërkojnë SHBA’të sipas ambasadorit Hovenier, është që Asociacioni të themelohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

    “Edhe një gjë që s’është e re. Ne nuk i kemi kërkuar Qeverisë së Kosovës që të themelojë Asociacion që nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe që nuk është në përputhje me vendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese. Këto janë parametra të arsyeshme dhe ne mendojmë se janë edhe parametrat e duhur. Siç edhe e kam thënë disa herë se ne nuk e mbështesim e as nuk do ta mbështesnim një aranzhim sikur “Republika Srpska””, ka thënë Hovenier, duke shtuar se tani ka një urgjencë rreth kësaj.

    “Kjo është një diçka e cila është identifikuar nga komuniteti [serb] si e rëndësishme për ta, që ata të ndjehen se po marrin pjesë në një mënyrë që për ta është e rehatshme dhe e pranueshme, që të kenë zërat e tyre që të dëgjohen dhe të drejtat e tyre të jenë plotësisht të mbrojtura. Dhe këtë gjë kemi qenë duke ua kërkuar qeverive të ndryshme të Kosovës për ta zbatuar. Dhe siç thash, tashmë kjo e ka marrë një urgjencë të rinuar”, ka thënë ambasadori Hovenier. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!