Hoxha befason: Kurani nuk e lejon burkën, fytyra nuk trajtohet si cullak

Përderisa në disa shtete të botës një grua që del nëpër vende publike me burkë gjobitet deri në qindra euro, në Kosovë shihen shpesh gra të veshura në këtë mënyrë. Debati për burkën shpërtheu në Kosovë pasi gratë kosovare të kthyera nga Siria, dolën para gjykatës në Prishtinë të mbuluara plotësisht.


Burka që përdoret nga disa grupe të caktuara në islam, është veshje që mbulon tërë fytyrën e një gruaje, përveç syve.

Por a është kjo kulturë e islamit tradicional në Kosovë?

“Mbulimi i tërësishëm i fytyrës nuk mund të përligjet me norma fetare. Është një prodhim i grupeve dhe shoqërive të caktuara si rezultat i injorancës, fanatizmit dhe konservatizimit”, thotë hoxha kosovar Xhabir Hamiti.

Madje hoxha kosovar thotë se burka nuk parashihet as në librin e shenjtë të Kuranit. Jep shpjegimin pse nuk lejohet mbulimi i fytyrës me burkë.

“Sipas Kuranit, fytyra e njeriut edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër është – pa peçe, burka, pa ferexhe, pa nikabe. Ajo është e lartësuar estetikisht, si e tillë është e zbuluar, sepse në të janë shqisat më të rëndësishme ”komunikuese” të qenies njerëzore: sytë, veshët, hunda, goja, etj. Fytyra e njeriut në Kuran përmendet në raportin moral dhe emocional si pjesë shprehimisht shpirtërore e trupit të njeriut. (Me shpinë nuk mund të qeshim ose të mrrolemi! As me bark, as me gjoks, nuk qeshemi/murrëtohemi, etj.!) Vetëm në fytyrë shpërfaqet fuqishëm gëzimi, shendi e hareja, por edhe pikëllimi, mjerimi, depresioni, melankolia dhe zia”, tha për Express, Xhabir Hamiti.

Ai shpjegon se Kurani nuk e trajton fytyrën e gruas si pjesë lakuriq ose cullak.

“Religjionet semite, as cilat do fe të tjera të botës nuk e lidhin konceptin e lakuriqësisë me fytyrën e njeriut. Në Kuran dhe hadith fytyra e njeriut nuk trajtohet asgjëkundi si pjesë e trupit që është “lakuriq” ose “cullak”, përfundoi Xhabiri.

Pas kthimit të 32 grave nga Siria qytetarë të shumtë reaguan nëpër rrjetet sociale për shkak të mbajtjes së burkave.

Ato po vazhdojnë të shfaqen me burka madje me këtë veshje u paraqitën edhe në gjykatë me këtë veshje, madje secila prej tyre ka edhe mbrojtëset gra.

Por kështu nuk ndodhi me gratë e tjera të botës, mediat evropiane raportuan se pasi ato u liruan nga grupi terrorist ISIS, i dogjën burkat dhe ndezën cigare.

Shfaqja e grave me burka në publik është ndaluar nëpër shumë vende. Cilat janë vendet europiane që kanë ndaluar këtë veshje?

Franca ishte vendi i parë europian që ndaloi me ligj mbulimin e plotë të fytyrës në vende publike në prill të vitit 2011, plot 7 vite pasi miratoi një ligj që ndalonte simbolet e dyshimta fetare në shkollat shtetërore.

Shembulli francez u ndoq pak muaj më pas nga Belgjika, që e bëri të paligjshëm veshjen që mbulon identitetin e një personi në vende publike. Ndalime të plota apo të pjesshme janë miratuar edhe në Austri, Bullgari dhe shtetin jugor gjerman të Bavarisë, ndërsa Parlamenti danez e kishte miratuar në parim një ligj të tillë në fund të vitit 2016.

Madje me kthimin e 110 kosovarëve nga Siria partia franceze e ekstremit të djathtë shkroi se ky grup paraqet rrezikshmëri e atyre iu referua me termin “xhihadistë”.

Aty thuhej se partia e tyre do të kundërshtojë ashpër Parlamentin Evropian dhe Bashkimin Evropian në nismat e tyre për liberalizimin e vizave dhe pranimin në BE për këtë vend.

Sidoqoftë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale dje Gjykata mori vendim për masën e arrestit shtëpiak ndaj grave të kthyera nga Siria. Dyshohet se këto gra, nga viti 2014 e deri më 20.04.2019, kanë qenë në zonën e konfliktit Siri-Irak. Ato po hetohen për veprat penale: Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Ndërsa ndaj katër burrave të kthyer nga Siria në Kosovë e që cilësohen me rrezikshmëri të lartë është caktuar nga një muaj paraburgim.

Në Siri vazhdojnë të jenë 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë të cilët autoritetet kosovarë po pretendojnë t’i kthejnë në Kosovë.