×
  • Lajme
  • Lajme / Prishtinë

    Hulumtimi i Gazetës Reporteri: Komuna ndalon punimet e ‘objektit të përkohshëm’ në Arbëri, u gjet mospërputhje me projektin e miratuar

    Autor:Arlinda Xh. Rrmoku
    10 Maj 2024 | 12:41

    Gazeta Online Reporteri.net gjatë ditës së djeshme ka publikuar një hulumtim lidhur me një objekt gjoja të përkohshëm në lagjen Arbëria 3 në Prishtinë. Pas kësaj, Komuna e Prishtinës ka bërë me dije se ka marrë vendim që të ndalojë punimet ndërtimore.

    Ndonëse pyetjet lidhur me temën janë dërguar fiks që një javë, Komuna e Prishtinës tek pas publikimit të hulumtimit nga redaksia, ka njoftuar të premten që Inspektorati i ndërtimit pas inspektimeve në objektin në fjalë, ka gjetur se deri në këtë fazë të ndërtimit, ka mospërputhje me projektin e miratuar sa i përket llojeve të materialeve të përdorura.

    Inspektorati i ndërtimit ka inspektuar rastin në fjalë dhe ka gjetur se pala është pajisur me leje ndërtimore dhe se ndërtimi i realizuar deri në këtë fazë ka mospërputhje me projektin e miratuar sa i përket llojeve të materialeve të përdorura dhe me këtë rast ka nxjerrë Aktvendim me nr.09-354/02-53141/24 për ndërprerjen e punëve ndërtimore dhe ka urdhëruar mos të vazhdoj me punë ndërtimore deri në rregullimin e dokumentacionit teknik apo kthimin e gjendjes sipas projektit të miratuar”, thanë për Gazetën Reporteri nga Komuna e kryeqytetit.

    @reporterimedia 🛑Objekt i përkohshëm me beton e armaturë? Ndodh edhe kjo në Prishtinë #prishtina #prishtinacity #prishtin #lajme #lajmifundit #kosovatiktok #kosova🇽🇰 #reporteri #perparimrama #dragodan ♬ original sound – Reporteri.net

    Po ashtu, nga Komuna njoftojnë se pronari i tokës, Besim Pacolli, me akt noterial ka prezantuar deklaratën se objekti do të jetë me karakter të përkohshëm dhe do largohet brenda tetë ditësh në momentin e realizimit të projektit të çerdhes, sipas planit urbanistik.

    Me aktin noterial “Deklarata/Pëlqim” përpiluar te Notere Sevdije S. Krasniqi në Prishtinë me LRP.nr.13466/2022 dhe REF.nr.2724/2022 dt.18.08.2022, pronari ka prezantuar deklaratën se ndërtesa është me karakter të përkohshëm, se e njëjta nuk do të jetë pengesë për realizimin-zbatimin e dokumentin e planifikimit urban – Planin Rregullues “Arbëria 3”, dhe se ndërtesa do të largohet në afat prej 8 ditëve, duke vepruar kështu konform nenit 7, 8 dhe 12 të rregullores në fjalë”, thuhet më tej në përgjigjen e Komunës.

    Kujtojmë se sipas dokumentit të siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, leja për ndërtimin e këtij objekti të përkohshëm është lëshuar më 31 korrik 2023, nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës e cila udhëhiqet nga drejtori, Arbër Sadiki – gati një vit pasi Kuvendi Komunal i Prishtinës [më 25 nëntor 2022], kishte shfuqizuar Rregulloren për procedurën e ndërtimit të objekteve me karakter të përkohshëm për persona fizikë dhe juridik.

    Komuna njofton se pronari i tokës kërkesën për caktimin e kushteve ndërtimore e ka parashtruar më 28 korrik 2022 dhe Drejtoria e Urbanizimit ka caktuar kushtet ndërtimore për hartimin e dokumentacionit ndërtimor për ndërtimin e objektit me karakter të përkohshëm me destinim zyrë administrative.

    Më tej në përgjigje thuhet se sipas rregullativës ligjore në fuqi, vendimi për shfuqizimin e Rregullore për procedurën e ndërtimit të objekteve me karakter të përkohshëm në pronat e personave fizikë dhe juridikë ka hyrë në fuqi më 23 dhjetor të vitit 2022, prandaj të gjitha kërkesat për caktim të kushteve ndërtimore për ndërtesa të përkohshme të pranuara para kësaj date kanë vazhduar të trajtohen bazuar në atë rregullore.

    Bazuar në pika 1 të nenit 17 të Ligjit për ndërtim ku thuhet “Lëshimi i lejes së ndërtimit kalon në dy faza”, ku sipas kësaj konstatohet se faza e parë është caktimi i kushteve ndërtimore si dhe faza 2,  lëshimi i lejes së ndërtimit, ku në rastin konkret kushtet ndërtimore janë përcaktuar paraprakisht, dhe bazuar në to është leshur leje ndërtimore (pas aplikimit dhe përmbushjes së kritereve të përcaktuara e rregullativën ligjore në fuqi, si: hartimi i projektit, sigurimi i pëlqimeve përkatëse, marrëveshja me DIKMK, pagesa e taksës admistrative, kontrollimi projektit nga fazistat, etj. )

    -Ndërsa, në rastin konkret, meqë akti administrativ “Vendim caktimi i kushteve ndërtimore”, 05nr.350/02-179661/22 dt.20.10.2022, sipas paragrafit XIII., të tij ka afat të vlefshmërisë një(1) vit,(me mundësi vazhdimi edhe për një vit, para skadimit të afatit) dhe kërkesa për leje ndërtimore është parashtruar brenda kësaj periudhe të vlefshmërisë, kjo drejtori, ka miratuar të njëjtën me vendimin e lartshënuar“, i thanë Gazetës Reporteri nga Komuna.

    Në bazë të rregullores tashmë të shfuqizuar, një objekt i përkohshëm parashihej që të ndërtohet nga druri, metali, plastika apo material tjetër që është lehtë i demontueshëm në momentin kur nis realizimi i projektit të paraparë me plan urbanistik.

    Komuna kundërligjshëm dha leje për një “objekt të përkohshëm” në Dragodan, aty parashihej ndërtimi i çerdhes

    Ekipi i Gazetës Online Reporteri.net, gjatë të martës ka qëndruar në Dragodan dhe ka përcjellë nga afër punimet që po kryheshin për ndërtimin e objektit gjoja të përkohshëm.

    Nga ajo që është parë në terren, objekti tashmë kishte bazamentin e betonit, shtyllat e betonit si dhe shtyllat e armaturës, të cilat ishin bërë gati për të vendosur pllakën e dytë të betonit, atë mbi katin përdhes. Po ashtu, bazamenteti nga ana e rrugës ishin të mbuluara me një ceradë të zezë, mbase për “t’i fshehur”.

    Fill të nesërmen në mëngjes, pra të mërkurën, ekipi i gazetës Reporteri.net sërish ka qenë te zona në fjalë, ku është parë pompa e betonit dhe punëtorët që kishin nisur veçse vendosjen e pllakës së betonit për katin 0.

    Reporteri.net po ashtu ka vërejtur që në ndërtimin e këtij objekti tash e dy javë po punohet edhe gjatë ditëve të fundjavave, përfshirë të dielën.

    Në vend-punishte tek objekti që po ndërtohet, ekipi i gazetës online Reporteri.net, të martën, ka takuar rastësisht dhe ka biseduar me djalin e Pacollit, i cili ka insistuar se ndërtimi po bëhet konform rregullave.

    Po ti a e din se kjo është toka jonë. A po kupton? … I kena letrat. U kanë [për çerdhe], edhe e kana marrë lejen për objekt të përkohshëm”, tha A.P., ndër tjera.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!