×
  • Lajme
  • Hulumtime / "Prishtina e Përjetimeve"

    Komuna kundërligjshëm dha leje për një “objekt të përkohshëm” në Dragodan, aty parashihej ndërtimi i çerdhes

    Autor:Arlinda Xh. Rrmoku
    09 Maj 2024 | 20:13

    Objekti i përkohshëm, pa rregullore, me beton dhe armaturë! E pamë edhe këtë në Prishtinën “e përjetimeve”. 

    Një objekt i përkohshëm po ndërtohet me leje ndërtimore të lëshuar nga Komuna  e Prishtinës në parcelën kadastrale nr.10555-1 ZK Prishtinë në lagjen “Arbëria 3”. Pikërisht në këtë zonë, sipas planit urbanistik është paraparë që të ndërtohet një çerdhe për fëmijë, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Sipas dokumentit të siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, leja për ndërtimin e këtij objekti të përkohshëm është lëshuar më 31 korrik 2023, nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës e cila udhëhiqet nga drejtori, Arbër Sadiki – gati një vit pasi Kuvendi Komunal i Prishtinës [më 25 nëntor 2022], kishte shfuqizuar Rregulloren për procedurën e ndërtimit të objekteve me karakter të përkohshëm për persona fizikë dhe juridik.

    Vendimi për shfuqizimin e rregullores

    Aktualisht Komuna e Prishtinës nuk ka në fuqi ndonjë rregullore për ndërtimin e objekteve të përkohshme, që nënkupton se pronari i tokës ku po ndërtohet objekti në Arbëri, Besim Pacolli, u pajis kundërligjshëm me leje ndërtimore për ndërtimin e një objekti të përkohshëm me destinim gjoja “zyrë administrative” deri në realizimin e projektit të çerdhes, të paraparë me plan urbanistik.

    Ekipi i Gazetës Online Reporteri.net, gjatë të martës ka qëndruar në Dragodan dhe ka përcjellë nga afër punimet që po kryheshin për ndërtimin e objektit gjoja të përkohshëm.

    Nga ajo që është parë në terren, objekti tashmë kishte bazamentin e betonit, shtyllat e betonit si dhe shtyllat e armaturës, të cilat ishin bërë gati për të vendosur pllakën e dytë të betonit, atë mbi katin përdhes. Po ashtu, bazamenteti nga ana e rrugës ishin të mbuluara me një ceradë të zezë, mbase për “t’i fshehur”.

    Plani urbanistik që parasheh ndërtimin e çerdhes në vendin ku po ndërtohet objekti i përkohshëm në Dragodan

    Fill të nesërmen në mëngjes, pra të mërkurën, ekipi i gazetës Reporteri.net sërish ka qenë te zona në fjalë, ku është parë pompa e betonit dhe punëtorët që kishin nisur veçse vendosjen e pllakës së betonit për katin 0.

    Reporteri.net po ashtu ka vërejtur që në ndërtimin e këtij objekti tash e dy javë po punohet edhe gjatë ditëve të fundjavave, përfshirë të dielën.

    Për të marrë më shumë informacione që janë relevante dhe në interes të publikut, gazeta online Reporteri.net që nga e premtja e kaluar është në pritje të përgjigjeve nga Komuna e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga arkitekti Përparim Rama, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

    Pas insistimeve për të marrë përgjigje përmes email-it, redaksia të mërkurën ka kontaktuar direkt në telefon drejtorin e Inspekcionit, Florian Dushi. Dushi tha se të martën i ka pranuar pyetjet e dhe është në pritje të mbledhjes së informacioneve për të përpiluar raportin e detajuar.

    Leja për ndërtimin e “objektit të përkohshëm”

    Drejtori i Inspekcionit të komunës së Kryeqytetit foli edhe për statusin e objektit të përkohshëm, duke thënë se atë nuk e përcakton materiali me të cilin ndërtohet, por vendimi për lejen.

    Statusin e objektit të përkohshëm nuk e përcakton materiali, por e përcakton vendimi mbi lejen”, tha ai për gazetën Reporteri.net.

    Ai u shpreh se janë me mijëra objekte në ndërtim e sipër në Prishtinë dhe si rrjedhojë nuk mund të ketë informata për të gjitha ato.

    E kom përcjell unë te kompetentët dhe jam duke i pritë përgjigjet. Ata [inspektorët] i inspektojnë çdo punim që zhvillohet në Prishtinë, po në pjesën e asaj që përbën interesim të jujin, unë jam duke i pritë përgjigjet, raportin. Keni me pasë çdo detaj që e keni kërku keni me pasë informatën. Objekte sigurisht me mijëra ka në Prishtinë në ndërtim e sipër dhe prandaj duheni me mirëkuptu që jo për të gjitha unë kam informata”, deklaroi Dushi.

    Reporteri.net ka tentuar që të marrë prononcimin edhe të pronarit të tokës, Besim Pacolli, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefonin e tij.

    Në vend-punishte tek objekti që po ndërtohet, ekipi i gazetës online Reporteri.net, të martën, ka takuar rastësisht dhe ka biseduar me djalin e Pacollit, i cili ka insistuar se ndërtimi po bëhet konform rregullave.

    “Po ti a e din se kjo është toka jonë. A po kupton? … I kena letrat. U kanë [për çerdhe], edhe e kana marrë lejen për objekt të përkohshëm”, tha A.P., ndër tjera.

    Reporteri.net ende është në pritje të informacioneve zyrtare nga Komuna e Prishtinës lidhur me rastin dhe të njëjtat do të publikohen ditëve në vijim, posa komunarët të kthejnë përgjigje.

    Ndryshe në bazë të rregullores tashmë të shfuqizuar, një objekt i përkohshëm parashihej që të ndërtohet nga druri, metali, plastika apo material tjetër që është lehtë i demontueshëm në momentin kur nis realizimi i projektit të paraparë me plan urbanistik.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!