×
  • Lajme
  • Lajme / Hulumtimi i Gazetës Reporteri

    Prokuroria nis hetimet për ndërtimin e 12 shtëpive pa leje në Prishtinë

    Reporteri
    07 Qershor 2024 | 11:23

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe provave për rastin e ndërtimit të 12 shtëpive pa leje në fshatin Bardhosh të Prishtinës, të cilat u gjeten gjatë një hulumtimi të publikuar nga Gazeta Online Reporteri.net, dy ditë më parë.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, ju njofton se pas publikimit në media lidhur me dyshimet se në Komunën e Prishtinës, më konkretisht në lagjen e re në fshatin “Bardhosh” të Prishtinës janë duke u ndërtuar 12 shtëpi pa leje, Prokurori i Shtetit njëherazi Koordinatori i krimeve kundër mjedisit,  ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe provave me qëllim të verifikimit të këtyre informacioneve”, thuhet në komunikatë.

    Ndryshe, një ditë pas publikimit të hulumtimit të publikuar nga Gazeta Online Reporteri.net, dymbëdhjetë shtëpitë e ndërtuara pa leje në fshatin Bardhosh të Prishtinës janë rrënuar fill të enjten, me urdhër të Komunës së Prishtinës.

    Hulumtimi i Gazetës Online Reporteri.net zbuloi se ndërtimi i shtëpive kishte nisur ani pse Komuna e Prishtinës nuk kishte lëshuar leje për ndërtimin e tyre afër kyçjes në autostradën “Ibrahim Rugova”.

    Kjo nuk e kishte ndalur pronarin e lagjes “Dielli” që të vazhdojë ndërtimin e tyre, pavarësisht se ishte urdhëruar që të ndërpresë punimit dhe të rrënojë dymbëdhjetë shtëpitë.

    Po ashtu, Komuna e Prishtinës në vendimin e saj thekson se nëse pronari vazhdon punimet, duke mos zbatuar urdhrin nga Inspekcioni, atëherë organi kompetent duhet ta bëjë menjëherë rrënimin e objekteve pavarësisht afatit të dhënë në pikën II të këtij aktvendimi.

    Pronarit të kompleksit, Ymer Veliu, i është shqiptuar edhe gjobë mandatorë për kundërvajtje, pasi i njëjti nuk ka respektuar urdhrin e Inspekcionit, duke larguar shiritat rrethues dhe duke vazhduar punët ndërtimore.

    Ndërtimet pa leje, nuk janë diçka e pazakontë për biznesmenin, Ymer Veliu. I njëjti është i njohur që edhe më parë ka përfituar kundërligjshëm miliona euro përmes shitjes së banesave të ndërtuara pa leje, në Prishtinë.

    Ymer Veliu, përmendet në rastin e njohur të inspektorëve të Isa Mustafës në Prishtinë, të cilët akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Lagje e re me 12 shtëpi pa leje në Prishtinë – Biznesmeni i njohur për ndërtime pa leje vazhdon avazin e vjetër

    Prokuroria pretendonte se Veliut, inspektorët e akuzuar, i kishin mundësuar që në rrugën “Ardian Krasniqi” ta ndërtojë pa leje një objekt afaristo-banesor, në mënyrë që nga shtija e banesave ka përfituar mbi 1 milion e 700 mijë euro.

    Madje vetë Veliu, i ftuar gjatë gjyqit si dëshmitar, kishte pohuar se kompania ndërtimore “Naki Trade” ku ai dhe vëllai i tij Milazim Veliu janë pronarë kishte ndërtuar objekte banesore në kryeqytet pa pasur leje.

    “Gjatë punës tonë, kanë ardhë disa herë inspektorët me na ndalë punimet por ne prapë kemi vazhdu. Nuk ka qenë faji jonë sepse ata vet na e kanë vonu lejen e ndërtimit shkaku i neglizhencës së tyre. Ne është dashur që të vazhdojmë me ndërtime sepse ashtu ka qenë marrëveshja me banorët”, deklaronte Veliu në Gjykatën e Prishtinës, me 23 shtator 2016.

    Në një rast tjetër, Prokuroria e Shtetit në vitin 2019 e kishte implikuar kompaninë “Naki Trade” dhe pronarin e saj Milazim Veliun për ndërtime pa leje edhe në komunën e Fushë Kosovës, po ashtu në koordinim me inspektorë komunal që dyshoheshin për keqpërdorim të detyrës.  

    Rrënohen shtëpitë pa leje në Bardhosh të Prishtinës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!